30 Dhjetor, 2017 - 3:10 pm
Monumenti i Varrezave të Dëshmorëve Partizan gjendet në Velani, pika më e lartë e Prishtinës. Në kartolinën që daton në vitet 1960, 1970 dhe 1980, shihet duke qëndruar vet ose me pamje tjera të qytetit të Prishtinës.
Në kartolinë ku qëndron vetëm, imazhi i tij jep mesazhe të përziera të madhështisë arkitekturore dhe frymës pastorale. Shikuesi tërhiqet menjëherë nga tetë gjysmë rrethe të mëdha betoni, të formuar si krahë të hapur që rrethojnë një formë si glob, e punuar nga trarët metalik. Brenda mureve të gjysmë rretheve ka medalione të bardha, që përfaqësojnë luftëtarë individual (163) ose viktima civile (58) të luftës. Monumenti qëndron në një kodër me barë, lartësia e të cilit është e qartë nga sfondi- një pamje urbane poshtë e largët , e rrethuar nga mali.
Por për shkak të pranisë së fëmijëve duke luajtur dhe njerëzve duke biseduar me njëri-tjetrin, kjo strukturë e rëndë nga betoni dhe metali kompenzohet nga pamjet e jetës së përditshme. Edhe këtu, si në Landovicë, memoriali tradhëton përdorimin e tij si strukturë rekreative, ndër të tjera.
Në shumë kartolina, memoriali i Velanisë nganjëherë shfaqet ekskluzivisht me pamje të tjera moderne të qendrës të qytetit të pasluftës: ndërtesa e Radio Prishtinës; Teatri Kombetar; banesat e reja në Dardani; Shtëpia e Mallrave Grmija në rrugën për këmbësorë; korza; kampusi i Universitetit; munumenti i Vllaznim Bashkimit; hoteli Bozhur [tani Hoteli Swiss Diamond], me murin e tij të ilustruar me ngjyra, dhe sloganin, “Nga Fjalët në Vepra” në dy gjuhë.
Në kartolinat tjera, memoriali i Velanisë shoqërohet nga dy shenjues të fortë të identiteteve të ndryshme të Prishtinës: vendet e trashëgimisë historike të Kishës Serbe të Graçanicës dhe turbes Osmane në Mazgit, të dyja jashtë qytetit.
Memoriali i Varrezave të Dëshmorëve në Velani, i projektuar nga Svetislav Ličina (Zagreb 1931), dhe i kompletuar në Nëntor 1961 mbi një park prej tre hektarësh, qëndron ende edhe sot, edhe pse me medalione të grabitura dhe në një gjendjë të neglizhuar. Nuk është kërcënuar kurrë me shkatërrim, ndoshta për shkak të avokimit të veteranëve të fundit të mbijetuar të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe në mot të mirë, fëmijët rregullisht luajnë në mesin e rrënojave të çfarë dikur ishte një punë madhështore e arkitekturës, siç bënin në kohët e mëparshme.
Një arsye tjetër për jetëgjatësinë e tij mund të jetë fakti se gjendet në tokë të shenjtë. Në afërsi të tij, një varrezë tjetër është themeluar pas vitit 1999, kjo dedikuar dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e fundit, si dhe varri i Ibrahim Rugovës, presidenti i parë i Kosvës së vetë-qeverisur, i cili vdiq në vitin 2006.
Ndjenjat e nxitura nga ky monument nuk ishin gjithmonë neglizhenca dhe mosinteresimi. Fotot arkivore të kremtimit të përvjetorit të tridhjetë nga pushtimi Nazist, në vitin 1974, tregon tërheqjen popullore, përtej grupit të veteranëve. Atëherë ishte një simbol i fortë i vllaznimit dhe bashkimit, siç lexohet në sfondin gjigand të ceremonisë, në serbisht, shqip dhe turqisht, pranë portretit të Titos. / KultPlus.com
Burimi: ORAL HISTORY / KOSOVO