13 Maj, 2018 - 3:30 pm
Memoriali i Skënderbeut është vendi ku më 2 mars 1444 u mbajt “Besëlidhja e Lezhës” dhe ku më 17 janar 1468 u varros heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili do t’i nënshtrohet rijetëzimit këtë verë.
Ky restaurim është një vlerë e shtuar për t’i treguar turistëve të huaj vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.
Projekti i restaurimit për këtë objekt është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, si pjesë e kalendarit të restaurimeve të “Vitit të Skënderbeut” dhe është miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.
Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.
Ka qënë objekt kulti që është përdorur si kishë dhe xhami në periudha të ndryshme. Ky objekt që i përket shek. XIV është e tipit bazilikor me gjatësi 17 m dhe gjerësi 8 m. Në muret e saj ndodhet një afresk i Shën Nikollës. Sipas gojëdhënave në vitin 1478 turqit, të cilët pushtuan Lezhën, e shkatërruan dhe e hapën varrin e Skënderbeut dhe thuhet se eshtrat e tij u morën nga ushtarët dhe i mbështollën me flori e argjend për t’i përdorur si hajmali për pathyeshmëri në beteja.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut. /r.e/