5 Mars, 2019 - 7:25 pm
Në Prishtinën e sotme ka gjithçka.
Diçka e re, jo gjithmonë bie në sy. Jo rrallë herë risjellja e të vjetrave në jetë, na fascinon. E tillë është kjo hapësirë shumë ftuese për të të shuar kureshtjen. Dikur menzë e punëtorëve të “Ramiz Sadikut”, sot, po e njëjta hapësirë, po bëhet nikoqire e shumë ngjarjeve, netëve muzikore, drekave e kafeve shoqërore, takimeve të të dashuruarve e shumëçka tjetër. Tani aty njerëzit do të ndajnë shumë të qeshura, do të kenë mundësi të shijojnë një menu fantastike dhe do të kënaqen me pamjet e një ambienti brutal, që ndoshta për herë të parë, të ngjallë ndjenjën e butësisë dhe qetësisë.
Objekti ka një hapësirë prej 340 metrash katrorë me plus 150 metra tarracë, ndërsa tavanet kanë një lartësi prej 5,25 metrash. Përveç muralit në të cilin kishin hasur gjatë punimeve, ata kishin gjetur edhe dy xhaketa të punëtorëve të atëhershëm, të cilat tani do t’i shkojnë koleksionit të artistit Maksut Vezgishi.
“Menza e Ramiz Sadikut” është lokacioni më i ri i cili i është bashkuar zinxhirit të restauranteve në kryeqytet, por padyshim, historia që bart ky vend është ndër linjat e trasha që e dallojnë atë nga “turma”.
“Menza e Ramiz Sadikut” padyshim që është një pikë e re e referimit për qytetin e Prishtinës, e cila ka ngjallur mjaft interesim tek opinioni. Ajo qëndron e hapur gjashtë ditë të javës, duke ofruar ngrohtësi dhe mikpritje për të gjithë njerëzit që zgjedhin ta vizitojnë. / Ndërtimi.Info / KultPlus.com