Merren dy vendime të rëndësishme për kulturën dhe trashëgiminë kulturore

13 Tetor, 2021 - 3:21 pm

Sot në mbledhjen e 39-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës u aprovua Draft Marrëveshja për Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian Evropa Kreative.

Programi Evropa Kreative synon të kontribuoj në rritjen e bashkëpunimit artistik dhe kulturor në nivel evropian në mënyrë që të mbështesë krijimin e veprave evropiane dhe të forcojë dimensionin ekonomik, social dhe të jashtëm të inovacionit dhe mobilitetit në sektorët kulturorë dhe kreativë të Evropës.

Gjithashtu ky program ka për qëllim të promovoj bashkëpunimin dhe veprimet novatore duke synuar promovimin e një mjedisi të larmishëm, të pavarur dhe pluralist mediatik duke nxitur kështu lirinë e shprehjes artistike, dialogun ndërkulturor dhe përfshirjen sociale.

Pjesëmarrja në Evropa Kreative do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar qasjen në veprat kulturore dhe në forcimin e inovacionit, krijimtarisë në fushën e kulturës dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.

Krahas aspektit normativ, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është angazhuar dhe në themelimin e Deskut Evropa Kreative, Kosovë, që si mandat ka ofrimin e informatave dhe promovimin e programit, asistimin e sektorëve kulturorë dhe kreativ në relacion me programin dhe mundësitë e ofruara si dhe çështje tjera që ndërlidhen me Nën Programin Kulturë në kuadër të Programit Evropa Kreative.

Gjithashtu në këtë mbledhje u aprovua nisma për nënshkrimin e marrëveshjes tre palëshe mes BE, Kosovës dhe Malit të Zi për vitin 2020, për zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar, që financohet në kuadër të instrumentit të para anëtarësimit 2014 -2020, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Qëllimi i marrëveshjes është që të mundësohet përfitimi nga fondet e IPA-s, për bashkëpunim ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi për vitin programues 2020 në shumën prej 1.08 milion euro që financohet krejtësisht nga BE dhe zbatohet në formë të thirrjes për grante.

Programi i bashkëpunimit ndërkufitar me fondet e BE synon të rris bashkëpunimin rajonal dhe të nxisë zhvillimin e zonave kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndër tematikat e këtij programi janë: promovimi i punësimit, modalitetit të fuqisë punëtore dhe përfshirjes kulturore përgjatë kufirit, duke përfshirë integrimin e tregjeve ndërkufitare të punës, turizmin dhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore si dhe mbrojtjen mjedisore, adaptimin e ndryshimeve klimatike si dhe parandalimin dhe menaxhimin e riskut./ KultPlus.com

Të ngjajshme