Mes arkeologjisë dhe bunkerëve, aspektet magjepsëse dhe kontradiktore të Shqipërisë

15 Shtator, 2017 - 11:57 am

Ky vend ballkanik u shfaq në skenën e turizmit gjatë viteve të fundit, pas një periudhe të gjatë në errësirë ku e la regjimi. Por mesa duket, vetëm në vitin 2017 italianët e kanë zbuluar atë përfundimisht. Numrat tregojnë një boom të vogël. Le të zbulojmë bashkë sekretet e tij.

Shkruan: CINZIA LUCCHELLI

Vite më parë ata që udhëtonin në gadishullin ballkanik duhet të anashkalonin Shqipërinë në mënyrë që të vazhdonin rrugën e tyre. Sot, në këtë vend i cili ka lënë pas krahëve një regjim komunist 46-vjeçar që e izoloi nga pjesa tjetër e botës, zbulojmë një destinacion turistik. Afërsia, deti në të cilin pasqyrohet ai i Puljas, dhe kostot e përmbajtura të jetesës, nga janari deri në korrik 2017, kanë bindur 182 mijë italianë, 56% më shumë se vitin e kaluar, që të kalojnë pushimet në Vendin e Shqiponjave. Plazhet e Jugut, ai i Sarandës sidomos, janë ato që parapëlqehen më shumë dhe mbipopullohen gjatë pikut të sezonit të verës. Po ashtu, pjesë e itinerareve të vizitorëve janë dhe vendi arkeologjik i Butrintit dhe qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit, të cilat ruajnë dhe tregojnë të kaluarën. Ndërsa Veriu është më pak i eksploruar, por dhuron peisazhe natyrore të mahnitshme, të cilët për momentin i kanë shpëtuar dorës modernizuese që po ndryshon pamjen e Shqipërisë.

Rrugët për të mbërritur në këtë zonë malore, duke u nisur nga Durrësi ose nga Vlora nëse vini me traget nga Italia, nga Tirana nëse udhëtoni me avion, sa vijnë dhe vështirësohen. Nuk ka korsi të shpejta, asfalti ndërpritet në segmente të gjata, bordurat, ashtu sikurse ndriçimi, janë opsionale. Nuk dihet se çfarë të pret pas çdo kthese. Aty këtu dallohen bunkerë, trashëgimi e të kaluarës. Por distancat nuk janë të gjata dhe Shkodra, kryeqendra e Veriut, është vetëm pak më shumë se dy orë nga kryeqyteti. Shkodra gjendet pranë liqenit me të njëjtin emër që vendi bashkëndan me Malin e Zi.

Jo shumë larg qendrës ndodhet muzeu historik, i cili gjatë regjimit shërbente si burg. Aty ruhen ende disa qeli dhe dhoma e torturave. Në çdo qytet kishte 23 vende të tilla për 24 mijë banorë. Përgjatë shëtitores kryesore, një tjetër copëz nga historia: muzeu kombëtar i fotografisë Marubi. Pietro Marubi, nga Piacenza, u largua nga Italia sepse ishte i përfshirë në vrasjen e Dukës së Parmës, Karlo III i Burbonëve. Sapo erdhi në Shkodër hapi një studio fotografie. Ishte viti 1856 dhe fotografia ishte në hapat e para të saj. Shpejt studio e tij u bë pikë referimi për ata që mund t’ia lejonin vetes të bënin një fotografi.
Arti i Pietros u trashëgua në gjenerata deri kur, në vitin 1970, familja u detyrua t’i dhuronte qeverisë arkivin e pafund. Në verë qyteti gjallërohet, kafenetë janë plot e përplot, biçikletat kalojnë si shigjeta nëpër rrugë. Nuk mungojnë restorantet dhe vendet ku mund të kalosh natën, me çmime që i përshtaten çdo xhepi. Mes restoranetev të shumtë dallohen Vila Bekteshi (për supën me vezë dhe limon) dhe Elita (për mishin e marinuar dhe të pjekur në hell për 12 orë), por nëse doni të konsumoni një drekë shqiptare autentike, shkoni në një mëngjezore, siç quhen disa lokale të vegjël dhe të thjeshtë me pak tavolina ku shërbehen si për mëngjes ashtu edhe për drekë, pjata të shijshme me bazë mishi dhe orizi të shoqëruara me sallatë. Ndërsa natën mund ta kaloni në bujtinën mikpritëse Bulldgog Hostel & Club, e cila menaxhohet nga një çift italo-shqiptar.

Shkodra është porta hyrëse për në dy vende magjepëse. Njëri prej tyre është Thethi, fshat malor që ndodhet në një luginë të gjatë dhe të ngushtë rreth 900 metra mbi nivelin e detit dhe e rrethuar nga maja që kapin 2500 metrat. Pikat e referimit janë kisha me varrezat e vogla, shkolla dyngjyrëshe jeshile me të kaltër, si edhe kulla ku – sipas Kanunit, kodit arkaik të Veriut të Shqipërisë – ngujoheshin personat e përfshirë në gjakmarrje. Udhëtimi deri aty është aventurë më vete: duhen të paktën tre orë të mira përgjatë një rruge që, në segmentin e fundit, i ngjitet malores, e pashtruar dhe pa bordura, mes pyjesh ahu e pishe. Duhet një fuoristradë. Shumë agjenci të zonës dhe hotele organizojnë udhëtimin dhe qëndrimin. Kur mbërrin, të duket sikur gjendesh në Aplet e Italisë: shtëpi të ulëta me çati të e pjerrëta, nëpër shtigje viça, derrkuca dhe dhi, uji që gurgullon mes gurëve.
Duke ecur për tre orë përgjatë rrjedhës së ujit në dalje të fshatit, mbërrijmë tek Syri i kaltër, një burim i ftohtë ku ka turistë që gjejnë kurajon të zhyten. Ecja kërkon angazhim, por mund t’i kërkoni ndihmë ndonjë shoferi që të shkurtoni rrugën. Më afër, rreth 30 minuta nga Thethi, ndodhet ujëvara e Grunasit. Është thuajse detyrim ta kalosh natën në fshat. Shumë prej banorëve i kanë përshtatur banesat e tyre për të pritur vizitorët. Dhomat janë të thjeshta dhe drita elektrike është ndonjëherë aq e zbehtë saqë të duhet të presësh ditën për të lexuar.

“Paketa”, që ndër të tjera është shumë ekonomike, përfshin darkën me prodhime të zonës (pulë, oriz, kastraveca, domate, djathë të bardhë), ndërsa për mëngjes vezë të skuqura, qumësht të sapo mjelë, bukë dhe gjalpë të bërë vetë, si edhe reçel i trashë me copa frutash. Ata që janë më të stërvitur mund ta provojnë veten në eskursione të tjera, si p.sh. nisja nga Thethi për të mbërritur në Valbonë përmes maleve përgjatë një rruge të banuar nga arinj, shqiponja dhe ujqër. Duhen rreth 6 orë. Kush e ka kaluar natën në çadër tregon se si në mëngjes e kanë përshëndetur dy të vegjël ariu që luanin me njëri-tjetrin. Kështu që është më mirë të mos ngrini çadra.

Ka një vend tjetër të paprekur në Veri që ende nuk i trembet çimentos që po mbyt plazhet e Jugut. Ashtu sikurse për në Theth, edhe rruga për këtu, rreth një orë e gjysëm nga Shkodra, nuk është shumë inkurajuese por pamja që të shfaqet para syve kur, duke dalë nga tuneli mbërrin nërrin në portin e vogël të Komanit, e shpërblen gjithë lodhjen e një rruge të mundimshme dhe pa sinjalizim. Nga këtu nisen çdo ditë në orën 9 dy tragete të vegjël (njëri Berisha dhe tjetri Rozafa) që përshkojnë për tre orë lumin Drin deri në Fierzë.

Nëse doni të imbarkoni edhe makinën, duhet të mbërrini aty shumë herët sepse, edhe nëse prenotoni me telefon, nuk e keni vendin të garantuar nëse vonoheni. Që të siguroheni, mund të shkoni në Koman një natë përpara dhe të kaloni natën në hotelin e vogël pranë portit. Pamja është skenografike, të mbush sytë: uji, dy tragetet, hoteli dhe, në të djathtë, diga madhështore. Po, sepse vendi gjendet pranë një hidrocentrali.

Tragetet grumbullojnë makina, furgonë të vegjël dhe gomone, sa duket e pabesueshme, duke i ngecur njëri pas tjetrit dhe duke shfrytëzuar çdo centimetër të lirë. Atëherë nisen, jo gjithnjë në orar, dhe kthehen 4 orë pas nisjes. Shpejtësia e lundrimit është perfekte për të soditur panoramën. Kalohet përmes malesh me gjelbërim të harlisur dhe të paprekur. Jeshile ngjyra e lumit, jeshile panorama që rrethon. Ulur në tarracën e tragetit, përkëdhelesh nga dielli dhe era, ndërsa trageti kalon pranë gjijsh dhe ishujsh për të mbërritur në Fierzë ku gjëja e parë që të bie në sy është një anije e rrënuar dhe e ndryshkur. Prej këtu, kufiri me Kosovën është vetëm një orë larg.
Një mundësi e mirë për të nisur një tjetër udhëtim./KultPlus.com

Të ngjajshme