26 Shtator, 2018 - 9:30 am
Tringëllimi i ziles shkollore u dëgjua përsëri! Për gjuhen shqipe bie! Është dita e parë e shkollës shqipe në Rendi të Athinës! Kjo ditë si përherë është ditë e gëzuar! Prindër e fëmijë që vijnë për një feste të përbashkët, të veshur bukur e me tufa lule në duar për mësuesen e tyre të dashur. Para ndërtesës së Qendrës Kulturore i presin bashkatdhetarë, mësues, miq mbështetës të mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në Rendi ! Eshtë i treti vit shkollor që kjo Qendër Kulturore çeli portat e saj për femijët e bashkatdhetarëve tanë që banojnë në Rendi dhe në zonat e tjera të Pireut: Nikea, Moskato, Palja Koqinia, Agjia Sofia -Pirea, Tamburja, Amfiali dhe Koridhalo.
Si çdo vit të ri shkollor ka dhe të papritura të këndshme: u bënë regjistrime të reja. Në radhët e nxënësve erdhën dhe 6 fëmijë të tjerë nga mosha 7 deri 18 vjeçarë.
Kështu njeri pas tjetrit, çdo vit vijnë fëmijët për të mësuar gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre.
Ja, në oborr të shkollës afrohet familja Merdani. Iliri dhe Arjana janë prindërit e Janit, janë nga Berati. Shoqërojnë Janin, djalin e tyre që tani mund ta quajmë “veterani ” i shkollës , ku së bashku me Keltionin janë nxënësit e parë të cilët ndjekin vitin e tretë.
Juli Daka nga Lushnja ka sjellë djalin e saj, Spiron që buzagaz përqafon shokët dhe mësuesen. Gjyshja Garentina Bilushi -mësuese veterane në Gjirokastër, çdo të dielë e sheh të shoqërojë Melinën dhe Vasilin; nga Moskatoja vijnë, ndonëse larg, frekuentojnë rregullisht mësimin shqip. Nga familja korçare Emini, ka tre nxënës, Paola, Oresti dhe Kristi, të cilët u ngjitën një klasë më lartë. Margarita dhe Arinela janë motra, Bajana është kushërira e tyre më e madhe; janë vajza të familjes Bakiasi, prindërit e tyre janë të interesuar për ecurinë e programit mësimor të gjuhës shqipe. Familja e Riza Bojajt i solli të tre femijët nga zona më e largët, Tamburja. Fatjoni dhe Eduarti kishin hedhur shtat, janë dy vëllezër shumë të sjellshëm, që ndjekin edhe futbollin.
Joanën e solli mami i saj, znj. Kozeta Lemnushi! Evelina solli dhe shoqen e saj të ngushtë që së bashku të mësojnë gjuhën shqipe.
Vajza e Erisa Zhitës, Françeska e bukur me sytë e qeshur lumturon pranë mamit dhe gjyshërve të saj të dashur. Këto familje kanë qenë gjithmonë bashkëpunëtorë të mirë në angazhimet e shkollës.
Bashkatdhetarët dhe të gjithë të pranishmit i pritën me mall e përqafime femijët .Urimet e tyre për suksese dëgjoheshin së bashku me tringëllimën e ziles shkollore. Mes duartrokitjesh prindër e fëmijë të ulur së bashku në klasën e veprimtarive dëgjonin përshëndetjen e mirëseardhjes dhe urimet për fillim të mbarë të vitit shkollor 2018 -2019 nga mësuesja e Gjuhës Shqipe Lefteri Metkaj.
Falënderimi dhe mirënjohja më e çmuar ishte për Kryetarin e Bashkisë së Nikaia-Rendi, Jorgos Ioakeimidis, i cili bëri të mundur të kemi një strehëzë për të mësuar ABC-në, Alfabetin Shqip!
Kryetari i nderit të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, zoti Jovan Mëhilli së bashku me zonjën e tij Lefterinë, uruan e përgëzuan fëmijët, falënderuan prindërit për kujdesin dhe sakrificat që bëjnë për të mësuar gjuhën shqipe. Zoti Jovan Mehilli shtroi edhe shqetësimin e tij se jashtë kësaj shkolle janë shumë e shumë fëmijë të tjerë shqiptarë, prindërit e të cilëve nuk tregojnë kujdesin e duhur për ta ruajtur gjuhën tonë amtare në brezat e rinj dhe lidhjet e tyre me të afërmit e atdheun e prindërve.
Përfaqësuesi i Shoqatës Atdhetare “Vëllazërimi, z.Kastriot Lekdushi në përshëndetjen e tij recitoi vargje për të madhërishmen Gjuhë Shqipe nga vëllimi i tij me poezi, dhe e dhuroi keëtë libër për bibliotekën e shkollës.
Firmëtarja e bërthamës së krijimit të L.M.SH.G, zonja Dhimitra Malo, theksoi përkujdesjet tashmë të konsoliduara, vazhdimin e traditës që zanafillën e ka në Selanik, ku zonja Mimoza Bejkollari Dako sot mësuese e Gjuhës Shqipe në Zvicër, çeli portat e mësimit të gjuhës shqipe për herë të parë në Greqi më 7 Mars të vitit 2001.
Nuk mund të përmbledh në një rrëfim përshëndetjen e mësueses Lindita Vrendesha, zotit Belul Korkuti, Garentina Bilushi, te znj. Safete e të z.Vasil Zogaj, të rapsodit Pali Imeraj e të tjerë, ku pa pjesëmarrjen e tyre, përkushtimin e mësueses për të bërë shkollën një qendër të dashur për të gjithë, duke theksuar kontributin e mësuesve atdhetarë të L.M.SH.G., që punojnë të përkushtuar në këtë mision të shenjtë, për t’iu mësuar fëmijëve gjuhën e bukur shqipe.
Kristi dhe Arinela na befasuan, kishin përgatitur vetë si të “zotët e shtëpisë” përshëndetje me çiltërsi fëminore.
Kristi përshëndeti të pranishmit, ndërsa Arinela gjithë fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe në Diasporë, duke përcjellë urime për suksese në vitin e ri shkollor.
Rapsodët e talentuar Bardhok Ndoci dhe Pali Imeraj ngjallën entusiazëm dhe krenari me këngët “Gjuha Shqipe” dhe “Shqipëri, o Nëna ime”./ tvtribuna
*) Autorja është mësuese e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në Rendi