14 Shtator, 2019 - 9:32 am
Në Mësonjëtoren e Korçës kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj. Punimet në këtë ndërtesë pritet të përfundojë para fundit të vitit.
Ministria e Kulturës Elva Margariti shprehet se ky objekt me rëndësi do ti kthehet vendit, sipas parametrave bashkëkohorë.
“Ndërtesa emblematike e historisë së arsimit shqip, Muzeu ABC në Korçë po i nënshtrohet rikonstruksionit. Kishte ardhur koha që Mësonjëtorja, ky objekt-dëshmi i arsimdashjes dhe kurajës, t’i kthehej jo vetëm korçarëve, por gjithë Shqipërisë, sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë, por duke ruajtur karakterin e saj monumental.
Pas sondazheve, do të fillojnë punimet në të gjithë srukturën, mure, çati, dyer e dritare të amortizuara nga koha, për të vijuar me rrjetin elektrik, sistemin e ngrohjes, të mbrojtjes nga zjarri. Para fundit të vitit, gjithçka do të jetë gati”, pohon ministrja e Kulturës Elva Margariti, ndërsa ka publikuar dhe disa foto gjatë punimeve në këtë objekt.
Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane. U hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të perandorisë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.
Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja përbënte një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë, duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.
Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. /sotnews/KultPlus.com