21 Maj, 2021 - 5:27 pm
Presidenti Ilir Meta në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit zhvilloi një veprimtari me anëtarë dhe përfaqësues të disa prej pakicave kombëtare në Shqipëri.
Presidenti Meta gjatë takimit me përfaqësuesit e pakicave kombëtare, u shpreh se, kjo ditë na ofron një mundësi të madhe për të promovuar diversitetin kulturor dhe për të kuptuar vlerat e tij, për të promovuar dhe nxitur dialogun ndërkulturor, duke nxjerrë në pah pasuritë e kulturave të pakicave në vendin tonë.
“Shqipëria dhe shqiptarët u kanë kushtuar dhe u kushtojnë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit me pakicat kombëtare, që jetojnë në vendin tonë, duke mos njohur apo nxitur konflikte dhe probleme etnike, racore apo fetare. Kjo është një pasuri, që e kemi ruajtur ndër breza, ashtu siç ruajmë edhe harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, për të gjithë ne jemi një shembull i shkëlqyer në të gjithë botën”, theksoi tutje Meta.
“Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për pakicat kombëtare, por edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga miratimi i tij, një pjesë e legjislacionit dytësor ka mbetur ende pa u implementuar. Kjo sjell pengesë edhe në çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, sepse respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare bën pjesë në kriteret kryesore që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Meta.
“Duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, të gjithë së bashku, për të forcuar bashkëjetesën tonë harmonike, tolerancën dhe mirëkuptimin, si dhe njëkohësisht, për të ruajtur diversitetet tona, si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe europiane. Mos të harrojmë se në këtë rajon, çdo komb është diku shumicë dhe diku pakicë, sepse e tillë ka qenë historia. E vetmja rrugë për të ecur përpara, në paqe, në begati dhe në prosperitet është që në çdo shtet, pakicat të respektohen njëlloj, sipas standardeve më të avancuara europiane. Jam i bindur që ne, do të punojmë në këtë drejtim edhe më mirë në të ardhmen së bashku”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com