24 Shtator, 2018 - 4:30 pm
Presidenti Ilir Meta është në New York teksa po merr pjesë në meshën e mbajtur në kishën katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.
Në prani të famulltarit Dom Pjetër Popaj, klerikëve e besimtarëve, Meta ka përshëndetur bashkatdhetarët duke i shprehur mirënjohje për atë që ata kanë bërë në ruajtjen e identitetit kombëtar.
”Ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që ju bëni duke i bashkuar të gjithë shqiptarët në SHBA. Të forcojmë identitetin kombëtar, bashkëpunimin e tolerancën ndaj njëri-tjetrit. Bashkëpunim për qëllimet më të larta që i shërbejnë vendit tonë dhe kombit tonë. Nder dhe privilegj të takoja në Vatikan, Atin e Shenjtë Papa Françesku. Kënaqësi e jashtëzakonshme, për të dëgjuar lutjet e bekimet e tij për kombin tonë. Porosia e Atit të Shenjtë, për të forcuar harmoninë tonë ndërfetare. Porosia e Papës ishte që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë “dimrin demografik” të Europës. Bekimet e lutjet e tij për kombin tonë, të na japin sa më shumë forcë, dashuri e bashkëpunim me njëri-tjetrin”, ka thënë Meta.
Ndërsa në rrjetin e tij social facebook, Ilir Meta shkruan:
“Para shtatores së Shën Nënë Terezës në New York, me anëtarët e Klubit Kulturor “Rozafati” të kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”.
Kënaqësi e jashtëzakonshme që gjuha, traditat dhe vlerat tona kombëtare po trashëgohen dhe kultivohen me shumë dashuri tek të rinjtë shqiptarë që kanë lindur në SHBA”./ droni.al