6 Nëntor, 2020 - 5:58 pm
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne të organizuar në qytetin antik të Bylisit, dy artistë të shquar të polifonisë shqiptare.
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin Mjeshtër i Madh” zotin Guri Rrokaj “Për talentin e spikatur artistik në fushën e folklorit. Krijues, mbartës, studiues e interpretues virtuoz i këngës polifonike shqiptare.
Për rolin e veçantë në kultivimin dhe përsosmërinë e këngës së trevës të Mallakastrës”, si dhe zotin Yzeir Llanaj me motivacionin: “Personalitet i shquar i kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur. Krijues, studiues dhe interpretues i polifonisë; drejtues e organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë atdheut”.
Fillimisht, Presidenti Meta, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, z.Qerim Ismaili, autoritetet vendore, Profesor Neritan Ceka, arkeologë të rinj, personalitete të artit e kulturës dhe dhjetëra banorë, vizitoi rrënojat antike të Bylisit, një prej kulmeve të qytetërimit ilir, duke u ndalur veçanërisht në Amfiteatrin e famshëm.
Në fjalën e rastit të mbajtur gjatë ceremonisë së dekorimit, Kreu i Shtetit u shpreh:
“Jam i lumtur që jemi sot në Bylis, në këtë mrekulli që ndriçon qytetërimin tonë të lashtë në këto troje!
“O i huaj mos ju shmang vështrimit nga bukuria e Bylisit”, do të gdhendej ky mbishkrim në një prej mureve të lashtë të këtij qyteti.
Ky elozh për këtë pasuri tonën të jashtëzakonshme na tundoi edhe ne sot, të organizonim këtu një aktivitet në nder të polifonisë.
Këtë muaj grupet polifonike të mbarë vendit festojnë 15-vjetorin e përfshirjes së polifonisë shqiptare në listën e pasurisë së kulturës botërore UNESCO.
Nuk mund të gjenim amfiteatër antik më të arrirë se Bylisi për të hapur siparin e veprimtarive që përkujton këtë arritje të etnokulturës dhe pasurisë tonë shpirtërore.
Shqiptarët gjithmonë do të krenohen me këtë trashëgimi të vyer të të parëve tanë.
Ne kemi trashëguar prej ilirëve jo vetëm gjuhën e folur, konstruksionin shpirtëror dhe identitetin kulturor por edhe veprat monumentale dhe artefaktet e një qytetërimi brilant.
Si shqiptarë dhe banorë etnik të këtyre trojeve, ne jemi krenarë që në çdo etapë të historisë kemi të stampuar në mënyrë të pandërprerë gjurmët e civilizimit tonë të radhë si popull.
Të parët tanë ja kanë dalë të ruajnë integritetin dhe etnosin e botës shqiptare me gjithë erërat e fuqishme që i është dashur të përballojnë përgjatë gjithë historisë sepse Shqipërisë asnjëherë nuk i kanë munguar burrat që i dalin zot vatanit.
Me këtë rast do të doja të përulesha me nderim të thellë dhe të përgëzoja arkeologët tanë të dashur dhe të shquar, të cilët janë treguar misionarë të vërtetë të ruajtjes së pasurisë sonë monumentale, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha që ata kanë ndeshur, të cilat i ndeshin dhe sot.
Ndjehem i nderuar, si të gjithë ju, që jemi sot këtu bashkë me profesor Neritan Cekën, zbuluesin dhe promovuesin e Bylisit, si dhe me ekipin e arkeologëve të rinj të cilët vazhdojnë traditën fisnike të shkollës sonë të arkeologjisë.
Ky qytet i lashtë është një shembull i shkëlqyer, jo vetëm punës së mrekullueshme që kanë bërë arkeologët dhe shkencëtarët tanë por njëkohësisht edhe i vizionit për ta kthyer këtë pasuri të jashtëzakonshme kulturore në një promovim për turizmin dhe imazhin e vendit tonë!
Nder respekt dhe mirënjohje e pakufishme për kontributin e tyre dhe mbi të gjitha për atdhedashurinë e tyre!
Të dashur miq,
Grupet e polifonisë së Labërisë, Mallakastrës, Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës, Sarandës, Bregut dhe gjithë trevave shqiptare këtë muaj përkujtojnë një arritje të madhe të tyre sikurse është pranimi polifonisë në UNESCO.
Ne i detyrohemi shumë përkushtimit dhe kontributit te tyre në ruajtjen e pasurisë folklorike, këngëve, kostumeve popullore dhe sakrificave të tyre për të nxjerr në pah vlerat unikale të polifonisë shqiptare në kulturën botërore.
Në këngët e tyre i është kënduar jo vetëm dashurisë, lirizmit të jetës njerëzore, halleve dhe derteve, por në veçanti historisë dhe kronikave të betejave të lavdishme për liri.
Interpretuesit e këngës polifonike përbëjnë një gjerdan të artë të kulturës sonë popullore!
Ata sot janë të shumtë dhe shprehin në mënyrën më të talentuar shpirtin dhe artin e kombit dhe të popullit tonë.
Sot në këtë ceremoni të veçantë përzgjodhëm të vlerësojmë dy prej interpretuesve, krijuesve dhe lëvruesve të këngës popullore, artistët e mirënjohur Yzeir Llanaj dhe Guri Rrokaj, përfaqësues dinjitozë të vlerave dhe traditave sidomos mallakastriote të polifonisë.
Të dy lindën dhe u rritën me këngë në gojë, për të vijuar më vonë si botues e studiues të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare të polifonisë.
Ata janë mbartës të vlerave më të shquara të polifonisë mallkastriotë duke u shquar në vite për virtuozitetin e rrallë të interpretimit, spektrin e pazakonshëm të zërave dhe harmoninë e grupit, si dhe për përkushtimin në ruajtjen e përhapjen e kësaj tradite tek brezat e rinj.
Të nderuar miq,
Falënderoj për propozimet Shoqatën Labëria, Shoqatën e Polifonisë Shqiptare Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Mallakastrës, Këshillin e Qarkut të Fierit dhe shumë personalitete dhe organizata kulturore dhe muzikore të vendit.
Me këtë rast do të doja të shprehja mbështetjen time të plotë dhe inkurajimin për të gjithë artistët popullorë, këngëtarët dhe grupet e polifonisë në vendin tonë si dhe t’i siguroj se e ndjek me shumë simpati dhe krenari aktivitetin e tyre artistik dhe atdhetar!
Paqe, mbarësi dhe shëndet për ju dhe familjet tuaja!
Lavdi të përjetshme polifonisë shqiptare!”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në përfundim të ceremonisë solemne të vlerësimeve, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit ndoqën një koncert artistik nga grupet polifonike “Gjergj Arianiti” dhe “Bashkimi”. /syri/ KultPlus.com