25 Janar, 2019 - 1:00 pm
Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit/ Nipi i Safet Butkës: U dënova pse thashë “Të kërkojmë edhe ne Kosovën”, siç kërkon Serbia Triesten.
I arrestuar që në rini, pasi provon torturat çnjerëzore në hetuesinë e kohës, vuajtjet e urisë në Burgun e Burrelit, sëmuret rëndë dhe përfundon në internim për gjithë pjesën e mbetur të jetës deri në vitin 1991. Kjo është historia e Avni Bejkovës nga Kolonja, nip i Safet Butkës, anëtar i Ballit Kombëtar, të cilit iu fal jeta nga kryeprokurori komunist, që qëlloi mik fëmijërie i tij, për të nisur një kalvar vuajtjesh me urinë e tejskajshme në burg e nëpër spitale.
Në pjesën e parë të dëshmisë së tij, Avni Bejkova tregon si u krijua Balli Kombëtar në Kolonjë, konfliktin me komunistët, arrestimin dhe torturat në hetuesi. Pjesa e dytë e dëshmisë së tij sjell të gjallë tablonë e vuajtjeve në burgun famëkeq të Burrelit, që i përngjan kampeve naziste.
Lufta, si u krijua Balli Kombëtar në Kolonjë
“Unë kam lindur në Kolonjë, më 1926. Rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike të mirë për kohën, natyrisht e një rrethi që kish aktivitet politik. Më 5-6 të Prillit 1939, u bënë demonstrata anti-italiane. U mblodh populli i qytetit dhe i fshatrave përreth dhe u bë kallaballëk i madh dhe shumë vullnetarë kishin dalë edhe kërkonin që të shkonin në Durrës për të luftuar me Italianët. Qëndrimi i popullit të Kolonjës, siç e thashë, ishte anti-italian, antifashist dhe Italinë e konsideronte tamam zaptues. Në Kolonjë, në këtë kohë u internuan kolonjarë, midis tyre ka qenë Safet Butka. Fill pas internimit të Safet Butkës, u arratis Qemal Butka. Biles më kujtohet atë ditë që Qemali ka kaluar kufirin edhe kaloi për në Greqi, ka ardhur në Ersekë, është takuar me tim atë, edhe kishte edhe një shok me vete, Brango Merxhani, gazetarin e shkrimtarin e dëgjuar.
Filloi lufta midis Bashkimit Sovjetik, rusëve dhe gjermanëve. Në këtë kohë, filluan të lëviznin edhe komunistët, gjë që më përpara nuk e kishin bërë. Biles, ata mbanin një qëndrim tepër pro boshtit, pro Gjermanisë dhe Italisë, duke i konsideruar fuqitë aleate: Anglinë, Francën dhe Amerikën, si fuqi plutokratike, domethënë pushtetet e të pasurve. Doli në skenë Stalini, këngët për Stalinin, këngët për komunizmin dhe aktiviteti anti-italian, por ngaherë në emër të komunizmit. Në fillimet e saj, kjo lëvizje i bashkoi të gjithë njerëzit kundër fashizmit, mirëpo avash-avash populli edhe mendjet e shkathëta të Kolonjës, që nuk i mungonin kurrë, dalluan fare qartë qëllimet e komunizmit, që nuk ishin për Shqipërinë, por ishin për t’i shërbyer luftës që bënin sovjetikët dhe marrjes së pushtetit.
Ndërkohë, kthehet Safet Butka nga internimi edhe menjëherë u krijua organizata e Ballit Kombëtar, gjë që komunistët nuk e pritën mirë, domethënë ishin kundërshtarë të krijimit të Ballit Kombëtar. Kolonja, kur doli Safet Butka, që krijoi çetat e Ballit, menjëherë u hodh me Ballin. Mund të them që 90% e Kolonjës ishte nacionaliste, e radhitur pranë Safet Butkës dhe Ballit Kombëtar, sepse Kolonja besonte Safet Butkën që qe një intelektual i dëgjuar i asaj kohe. E dyta, udhëheqës i Ballit Kombëtar ishte Mid’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit, nipi i Naimit dhe Samiut, me një aktivitet politik të jashtëzakonshëm të çështjes kombëtare, i cili u vu në krye të kësaj organizate që thashë që u krijua, dhe Shqiptarët patriotë, nacionalizmi do të ish domosdo me këtë dhe me atë vajti”.
Komunistët sulmuan çetën e Safet Butkës pse kërkoi aleancë me Anglinë
“Natyrisht familja jonë nuk mund të bënte ndryshe, siç bëri tërë Kolonja, domethënë ishte nacionaliste, se kishim kapital nga e kaluara. Kishim bëmat e paraardhësve tonë që kishin luftuar për Shqipërinë. Safet Butka dilte nëpër krahinë, edhe kudo që shkonte evokonte të kaluarën, luftën e të parëve tanë, luftën dhe përpjekjen e të parëve tanë duke i radhitur me radhë: Naimin, Samiun, Abdylin, Abdyl Ypin, Shahin Ypin, Jani Vreton, Spiro Bellkamenin, Sali Butkën e plot e plot të tjerë… Petro Ninin e paharruar, Nolin, Konicën. Këta ishin paraardhësit tanë, ishin nacionalistë, patriotë, nuk ishin komunistë, nuk ishin marksistë, nuk ishin miq të serbëve, të cilët komunistët na i reklamonin me të madhe, ku thoshin miqësi e pandarë, miqësi e pathyeshme me Titon, me serbët, me komunistët, gjë që kolonjari nuk e besonte kurrë një miqësi me serbët, një miqësi me grekët sepse e dinte që tërë jetën ata na kishin dashur të keqen edhe përpiqeshin për të na eleminuar. Aq e vërtetë është sa pjesët më të mëdha të vendit tonë mbetën jashtë kufijve, edhe një pjesë të madhe të Kolonjës e mori greku. Kosovën me pjesën e Maqedonisë, një Shqipëri të tërë, e mbajti serbi e Mali i zi.
E çfarë lanë ata? Lanë një Shqipëri sa për të thënë, që është Shqipëria. Prandaj, kishte humbur besimi në bashkimin e armëve tona me serbin edhe grekët, për të luftuar gjasme italianët. Komunistët thoshin që të përmbysin, të shkatërrojmë të kaluarën e të krijojmë botën e re. Po nacionalizmi shqiptar nuk donte të përmbyste gjithçka të kaluar. Të gjithë djemtë, të cilët kishin dështuar nëpër shkolla, iu përgjigjën thirrjes të komunistëve, premtimeve të tyre, u gënjyen. Një pjesë ishin të bindur për të bërë luftën kundër fashizmit, duke mos e kuptuar mashtrimin komunist.
Mospajtimet e aktivitetit të njërës palë apo tjetrës, sa vinin edhe shtoheshin. Kundërshtime të mëdha për njëri-tjetrin. Lufta të bëhet këtu apo këtu? Të bëhet në një fshat ku italianët mund të na dëmtojnë, apo të bëhet në një vend ku mos kenë mundësi të na dëmtojnë? Ne t’i dëmtojmë ata, po ata ne jo, mos ta kenë ata këtë mundësi. Mirëpo ata vinin, italianët, tamam në atë vend që kishin mundësi të na dëmtonin edhe krijoheshin situata shumë të ndera në këtë drejtim. Vinim deri në pikën kritike, ku edhe mund të goditeshim, por Safet Butka, me forcat e mëdha, desh të takohej me anglezët për të bërë aksione kundër gjermanëve. Për të sabotuar këtë takim të Safet Butkës me anglezin, vajtën një skuadër komunsite edhe e qëllon Safet Butkën, çetën e Safet Butkës, e cila qe një kallaballëk i madh prej 700 vetëve. Nis lufta aty.
…
Arrestimi dhe torturat në prokurori
“Pas Mukjes komunistët i shpallën luftë hapur Ballit Kombëtar dhe bënë që ajo marrëveshje të dështonte. Atëherë plasi lufta me njëri-tjetrin në Kolonjë. Mbarimi i luftës ishte ardhja e komunistëve në fuqi, sepse gati në tërë Europën ata erdhën. Gjëja e parë që bënë, i kapën një nga një, shumicën me tradhëti, kundërshtarët e tyre politikë, nacionalistët, edhe mbushën burgjet plot. Njëri prej tyre ka qenë edhe babai im. Filluan gjyqet edhe konfiskimi i pasurive të shumicës së familjeve kundërshtare nacionaliste. Ndërkohë, ne prisnim që të na dilte babai në gjyq… më kapën mua, edhe në derë të gjyqit që une doja të veja, të asistoja në seancë, në zhvillim të saj, nuk më linin rojet, sepse ishin me njerëz të autorizuar. Nuk mund të hynte kushdo.
Isha duke pritur tek dera dhe në këtë kohë vjen Muhamet Prodani me Sabri Pilkatin, të cilët i njihja, i kisha patur shokë, nuk më folën. Nuk më folën, gjë që më bëri çudi. Pas 5 minutave, dalin dy roje edhe më marrin e më thonë: Do vish në komandë, në policinë e kohës. Më morën, më çuan atje, pa më thënë asgjë, më mbajtën në arrest. Mbas 3-4 ditësh, vjen seanca e dytë, ku ishte dhe im atë aty. Vjen nga Korça, i sillnin nga Korça aty, se i mbanin në burg në Korçë. I sillnin në Ersekë që zhvillohej gjyqi. E takova tim atë, sepse në atë vend që isha unë, unë isha këtu, pjesa e burgut ishte matanë, ishte Qemal Burimi, etj. Më nxorën mua edhe sollën ata nga Korça. Aty u takuam edhe me tim atë. Të nesërmen, më dërgojnë në degën e punëve të Brendshme të Korçës. Më marrin në pyetje edhe atje, po tamam-tamam nuk e mora vesh akuzën. Më futën në burg në një dhomë, ku ishin 20-30 veta. Më afrohen dy djem të rinj të burgosur edhe më thonë: “Sigurimi po mundohet të krijojë një grup komplotistësh, 8 prej të cilëve i dënoi. Tani jemi grupi tjetër. Domethënë, shokët i dënuan me vdekje dhe i pushkatuan, edhe më thonë mua: Filani, filani, filani… Dy apo tre prej tyre i njihja. Kur më vjen një djalë i ri, 2-3 vjet më i madh prej meje, Astrit Leka, tani është personalitet i madh jashtë vendit, edhe më thotë: -“Ti je Avni Bejkova? Po – i them unë. “Ti ke të bësh më Safet Butkën?” -Po, sepse aty në ushtri kishte njëfarë aktiviteti anti-komunist, edhe ata që mundoheshin të bënin këtë prapagandë, këtë lojë, përdornin emrin tim, që është nipi i Safet Butkës. Ti je rrezik më thotë Leka, po megjithatë unë të këshilloj dhe dëgjomë, se të dua të mirën, se dhe unë jam familje kundërshtare. Më thotë: “Nëqoftëse do të pranosh, se kaq i ri sa je ti, nuk të pushkatojnë”. -I them: “Nuk kam bërë gjë, absolutisht asgjë”. Unë isha në muhabet me të, kur vjen Zeqir Ymero, prokurori, thotë: -“Avni Bejkova kush është?” U ngrita në këmbë. Ti je i vendosur, por do të bëjmë ne. Më tërheq nga ata mua, më dërgon në birucë, më izolon.
Në darkë më thërret në hetuesi. Në hetuesi gjej Sabri Pilkatin, kolonjar. Kur e pashë, thashë: Ky duhet të më ndihmojë, shpëtokam unë, s’kam gjë.
Fillon të më pyesë. Ishte kryehetues. -“Ke thënë që, pse nuk kërkojmë Kosovën, por bëjmë mitingje që Trieste t’i kthehet Jugosllavisë, t’i merret Italisë dhe t’i jepet Jugosllavisë?”
-“Unë kam thënë, thashë, që të themi dy fjalë edhe për Kosovën se është e jona, por për atë ta lëshojë Italia Triesten, a mos ta lëshojë, nuk është në dorën time, ata le ta zgjidhin vetë,” – i thashë.
-Më thotë: “Po ti patriot qenke”.
-“Mendoj që edhe ti kështu duhet të mendosh”, i thashë.
-“Si? -tha, -edhe këtu guxon të flasësh në këtë formë? Do ta shikosh ore qen!”
Menjëherë më shtruan në torturë. Ishte torturë e padurueshme, e tmerrshme. Imagjino të të marrin këmbë zbarthur edhe të t’i fusin në një furrë më prush. Duroja deri në një farë mase, pastaj shtiresha sikur më ra të fikët. Edhe fizikisht isha i dobët edhe si dukej ata druheshin që unë mos u vdisja ndër duar, edhe pushonin. Pushonin ata, merrnin fuqi, edhe pastaj prapë ushtronin dhunë. Lodheshin ata deri sa vinte mëngjesi, i merrte gjumi dhe thoshin një ditë tjetër. Erdhi darka, më thirrën, më thonë: Në orën 12 fillon gjyqi. Ishin 40 veta për të dalë në gjyq, kështu ishin formalitet. Dalim në gjyq, na lidhën tamam si ata që do të pushkatoheshin.
Kryetari i gjyqit i thotë oficerëve: Merreni përsëri në pyetje, edhe çfarë të thotë ai, atë do të shkruani. Torturë në asnjë mënyrë. Më zgjidhën mua, më morën përsëri në pyetje, m’u kanosën, do të bëjmë këtë, do të bëjmë këtë. “Unë më tepër se ç’kam thënë, nuk mund të them”-u thashë.
Kur më vjen sekretari i gjyqit, më thotë: “Me Sabri Pilkatin, si ke kaluar në të kaluarën?”
-“Kemi qenë shokë bashkë, jemi rritur me të, në shkollë bashkë”.
–“Keni shkuar keq?”
-“Mirë, përkundrazi, shumë mirë”.
-“Të shpëtoi kryetari, t’u fal jeta”.