14 Nëntor, 2018 - 3:03 pm
Mid’hat Frashëri është një personalitet i pa të dytë në historinë e elitave shqiptare, që i dha vendit gjithçka kishte dhe gjithçka mundi.
Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë shtetërore të përmortshme të kthimit të atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe kulturës kombëtare, Mid’hat Abdyl Frashëri.
Duke bërë një zbërthim të figurës së Mid’hat Frashërit në të gjitha dimensionet e tij, Kryeministri Edi Rama vlerëson publicistin por dhe njeriun politik, si dhe kontributin e tij në Kongresin e Manastirit, për një alfabet të njehsuar.
Rama vlerëson figurën e Lumo Skëndos në tempullin e letrave dhe të Mid’hat Frashërit për staturën e shtetarit.
Ndërsa e sjell Mid’hat Frashërin me gjithë potencialin e formimit të tij intelektual, Kryeministri nuk mund të lërë pa përmendur mbrujtjen e këtij personaliteti me atdhedashuri dhe patriotizëm që në fëmijërinë e hershme.
“I prirur qysh në krye të herës të vetëvritet politikisht ai nuk i negocion bindjet e tij”, shprehet Rama, ndërsa e cilëson “mishërim të shërbëtorit ndaj atdheut”.
Të lë pa frymë, vijon Kryeministri, “pozicionimi i tij në mbrojtje të popullsisë së çamërisë. “Raportet e tij nuk e shfaqin vetëm si mbrojtës të elementit shqiptar të keqtrajtuar jashtë kufijve, por edhe si një flamurmbajtës pa dallim etnie dhe feje”, thotë Rama.
Sipas Kryeministrit, Mid’hat Frashëri meriton mirënjohjen tonë sepse është bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e të vërtetave të veta, pavarësisht çmimit që ato kanë.
Kush gabimisht e sheh këtë arkëmort si provokim ndaj një historie që e shkruajtën fitimtarët, Kryeministri u sjell në kujtesë shprehjen e Mid’hat Frashërit: “…nuk mund të kemi në mesin tonë njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit”.
“Mjaft kemi arsyetuar dhe gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të gjykuar dhe dënuar në mungesë nga gjyqi i pafundëm raskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi trilluar dhe shpifur pa arsyetuar dhe gjykuar në ndershmëri dhe ndërgjegje. Mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më duke u vënë në gojë ato që nuk kanë thënë dhe menduar kurrë, dhe duke i lëshuar si flakadanë të përçarjes”, tha Rama, ndërsa shtoi se “kthimi i eshtrave të tij në atdhe nuk i merr askujt pjesën e vetë të historisë”.
Mid’hat Frashëri, vlerëson Rama, ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën një shembull i gjallë. “Koha pastroftë më tutje baltën që më së pari filluam t’ja pastrojmë sot”, përfundoi Rama. / KultPlus.com