13 Dhjetor, 2017 - 2:46 pm
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 18 dhjetor do të prezantohet një rrëfim më i vecantë se sa ato të zakonshmet, pasi që, para audiencës do të prezantohen rrëfimet e minatorëve, të cilët më vitin 1989 u patën ngujuar në Trepcë, shkruan KultPlus.
Puna, Kujtesa dhe Reprezentimi: Greva e Urisë së Minatorëve të Trepçës në vitin 1989
Masterklasë nga Dr. Vjollca Krasniqi, është pjesë e një serie aktivitetesh, dhe e katërta me radhë, që organizohet në kornizën e “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë”, projekt ky që fokusohet në shqyrtimin e kujtesës kolektive dhe historike të viteve të 1990 në Kosovë, me theks në lëvizjet shoqërore, rezistencën civile, politikën, kulturën, aktivizmin etj.
Masterklasa do të shoqërohet me rrëfime nga minatorët pjesëmarrës në grevë të eksperiencave të jetuara gjatë grevës së vitin 1989, dhe prezantime të gjetjeve nga arkivat e gjurmuara dhe raportimet që janë bërë asokohe për grevën.
Kujtesa kolektive në Kosovë përbëhet nga mungesa e vëmendjes së marrëdhënieve klasore. Modelet ekzistuese të kujtesës institucionale në masë të madhe kanë shpërfillë bazat materiale të punës dhe marrëdhëniet e punës. Si një qasje kritike ndaj kujtesës kolektive, kjo masterklasë përqendrohet në Grevën e Urisë së Minatorëve të Trepçës që filloi me 20 shkurt 1989 dhe vazhdoi për tetë ditë me radhë. Dhjetë kërkesat e minatorëve ishin kryesisht për të drejtat kushtetuese. Minatorët protestuan kundër heqjes së autonomisë së Kosovës si pjesë e Kushtetutës së vitit 1974 të Jugosllavisë Socialiste. Prandaj, lidhja e identitetit të minatorëve dhe vendit me momentin në kohë – Greva e Minatorëve të vitit 1989 – është e rëndësishme për të nxjerrë një kuptim më të mirë të kujtesës kolektive dhe memorializimit. Minatorët ishin figurë qendrore në ideologjinë e socializmit Jugosllav. Megjithatë, minatorët ishin subjekt i margjinalizuar shoqëror e politik. Çfarë e bën grevën të rëndësishme është konteksti i shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste dhe ngritja e nacionalizmit në Serbi. Masterklasa shqyrton mënyrën se si greva është reprezentuar, interpretuar dhe kujtuar. Leximi bazohet në të dhënat e shkruara dhe kujtimet personale që rrjedhin nga arkiva, raportimet në media dhe dëshmitë e pjesëmarrësve. Ndërtekstualiteti i vendosur këtu si strategji për ndërtim-kuptim, do të gjurmojë jo vetëm atë që ka mbetur më pak e njohur dhe e pa treguar, por edhe ambiguitetin e vetë grevës. Për më tepër, leximi i Grevës së Urisë së Minatorëve të Trepçës në vitin 1989 do të zbulojë gjithashtu kufizimet e së kaluarës historike dhe historinë e punëtorëve.
Kjo ngjarje dhe ky projekt organizohet nga forumZFD – programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, dhe mbështet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane (BMZ)./KultPlus.com