Ministri Çeku: Çdo ditë punë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore në rrezik

12 Tetor, 2021 - 9:14 pm

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ka vizituar sot Gjilanin dhe Vitinë për të parë nga afër punimet që po realizohen në monumentet historike që janë në rrezik, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë vetë ministri përmes një postimi në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Çdo ditë punë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore në rrezik.

Ndërhyrjet tona në monumentet që janë në rrezik po vazhdojnë në gjithë Kosovën. Për t’i parë nga afër punimet, bashkë me këshilltaren Nora Arapi Krasniqi sot ishim në Gjilan dhe Viti.

Atje u pritëm nga Artan Hoxha, drejtor i QRTK Gjilan dhe stafi profesional, të cilët na shoqëruan në vizitat tona te Shtëpia kullë e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme të Gjilanit, Mulliri i Ndue Sopit dhe Mulliri e Velanica e Vishëve në Binçë të Vitisë.

Këto janë vetëm disa nga ndërhyrjet emergjente në rajonet e Gjilanit dhe Ferizajit. Përveç tyre, në fazën e parë ndërhyrje do të kemi edhe në Mullirin e Zylbeharit, Mullirin e Madh, Xhaminë në Dunavë, Xhaminë e Llovcës, Xhaminë e Germovës, Xhaminë e Carrabregut, Xhaminë në Vryqec dhe Xhaminë e Velekincës./KultPlus.com

Të ngjajshme