Ministri Çeku ka vizituar “Ulpianën” për të parë punët që po bëhen në kuadër të kërkimeve arkeologjike

19 Gusht, 2022 - 2:11 pm

Ministri Hajrulla Çeku ka vizituar sot Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana për të parë nga afër punët që po bëhen në kuadër të kërkimeve arkeologjike në këtë lokalitet, përcjellë KultPlus.

Ai u takua me Christophe Goddard, përfaqësues i Universitit “Ecole Normale Supérieure” në Paris dhe arkeologët Arben Hajdari e Milot Berisha për tu informuar për ecurinë e punës, gjetjet e deritanishme dhe fazat e ardhshme.

Ky program po realizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit.

Përmes këtij projekti është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike. Përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

Një grup i madh arkeologësh e punonjës të tjerë shkencorë janë duke punuar në Ulpianë, kuadro të Universitetit të Prishtinës, Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe “La Sapienza” të Romës. / KultPlus.com

Të ngjajshme