Ministri Çeku: Komuna e Prizrenit ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor e sportiv dhe meriton vëmendje të veçantë

6 Shtator, 2022 - 10:29 pm

Sot ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka takuar kryetarin e Komunës së Prizrenit Shaqir Tolaj me ç’rast kanë diskutuar rreth rreth infrastrukturës fizike, projekteve kapitale në kulturë, rini, sport e trashëgimi kulturore, për t’i dinamizuar punët në projektet aktuale dhe për të filluar të reja aty ku ka mungesë, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Komuna e Prizrenit ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor e sportiv dhe meriton vëmendje të veçantë.

Sot takova kryetarin e komunës, Shaqir Totaj dhe bashkëpunëtorët e tij, për të diskutuar rreth infrastrukturës fizike, projekteve kapitale në kulturë, rini, sport e trashëgimi kulturore, për t’i dinamizuar punët në projektet aktuale dhe për të filluar të reja aty ku ka mungesë.

Vëmendje të veçantë u kushtuam projekteve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku Ministria përgjatë këtyre viteve është duke investuar rreth 1.8 milion euro për rehabilitim dhe restaurim të aseteve të trashëgimisë kulturore në komunën e Prizrenit.

🔸 Diskutuam për Revitalizimin e rrugës Marin Barleti, një projekt shumë i veçantë. Për herë të parë në Kosovë po rijetësohet komplet një zonë, ku krahas komponentës së restaurimit, përfshihet dizajni urban dhe zhvillimi i zonës. Ministria tashmë ka përfunduar me restaurimin e shtëpisë së familjes Morina dhe do të vazhdojë me restaurimin e shtëpive të radhës në kuadër të projektit. Ky projekt do të zbatohet në kuadër të bashkëpunimit paraprak me zyren e BE-së në Kosovë, Ministrinë dhe Komunën. Ndërsa u dakorduam për nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe për koordinim dhe zbatim të projekteve.

🔸 Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjithashtu përfshihet edhe Rijetësimi i Kinemasë Lumbardhi, ku pritet fillimi i ndërhyrjeve restauruese gjatë këtij viti.

🔸 Ndërhyrjet restauruese janë duke u zhvilluar edhe në Qendrën Historike të Prizrenit, në disa shtëpi tradicionale sikurse shtëpia e familjes Bardhi, shtëpia e Familjes Lokvica tashmë është projekte në proces, shtëpia e familjes Destan Kabashi ka përfunduar, kurse ndërhyrjet në shtëpinë e familjes Sokoli dhe në kompleksin e familjes Dorambari, pritet të fillojnë. Nga kryetari kërkova një koordinim më efikas në sigurimin e lejeve dhe dokumenteve përkatëse nga komuna, për projektet e restaurimit që zbatohen nga Ministria e Kulturës si institucioni kompetent për restaurimin e aseteve të trashëgimisë, në mënyrë që të tejkalohen vonesat e paraqitura në zbatim të projekteve.

🔸 Në kuadër të ndërhyrjeve emergjente me qëllim të sigurimit të masave mbrojtëse për trashëgiminë kulturore në rrezik, punët janë zhvilluar dhe kanë përfunduar në Hanin dhe Nallbanin e familjes Kovaçi, dy shtëpi në rrugën Marin Barleti, Konsullatën Austro- Hungareze dhe Hanin e Familjes Zajmi, Prizren.

🔸 Në proces të përmbylljes janë punimet në Kullën e Pjetër Penkpalaj në Zym, dhe Shtëpinë e Sava Toskës në Prizren.

🔸 Faza e dytë e ndërhyrjeve emergjente në rajonin e Prizrenit, duke vazhduar në monumentet në gjendje kritike, do të vazhdojë menjëherë pas përmbylljes së projekteve në proces. Do të sigurohemi që të zvogëlohet rreziku i degradimit të trashëgimisë kulturore në gjendje të keqe.

🔸 Një tjetër projekt me rëndësi i cili është drejt përfundimit është restaurimi i Kinemasë së Parë.

🔸 Për të vazhduar tek projekti i Qendrës Kulturore Hebraike, i cili është në proces të lidhjes së kontratës për restaurim, rindërtim dhe adaptim të ndërtesës, ku Ministria do të financojë në tërësi realizimin e këtij projekti.

🔸 Restaurimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës, gjithashtu është projekt në zbatim, i cili do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, deri në restaurim të plotë të këtij aseti me vlera të larta të trashëgimisë kulturore.

🔸 Fshati Zym, si një fshat me histori, traditë dhe kulturë, do të trajtohet në kuadër të programit që mbështetet nga Ministria e Kulturës, dhe zbatohet nga UNHABITAT, ku gjatë vitit të ardhshëm do të hartohet Plani i Menaxhimit me qëllim të nxitjes së mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit kulturor e rural në këtë zonë.

🔹 Sa i përket sportit diskutuam për ndërtimin e stadiumit në Zhur i cili është afër përfundimit, ku nga komuna u njoftuam që operatori ekonomik do t’i vazhdojë punët përfundimtare për fazën aktuale të ndërtimit të vrazhdë.

🔹 Një projekt tjetër që ka filluar në vitin 2018 por nuk ka përfunduar asnjëherë është ai i pishinës olimpike. Pas verifikimit të bërë në terren, Federata e Notit kanë ardhur në përfundim që kjo pishinë është jashtë standardeve për pishina olimpike, me ç’rast kërkohet analizë më e thellë e këtij projekti drejt zgjidhjes së shumë sfidave që ka pasur procesi.

🔹 Në Stadiumin “Përparim Thaçi” janë në përfundim punimet e fazës së parë ndërsa diskutuam që faza tjetër të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në fazën e dytë përfshihen punët përfundimtare për funksionalizimin e plotë të stadiumit konform standardeve.

🔺 Folëm edhe për ndërtimin e një Qendre Rinore. Lokacioni është caktuar, projekti është në hartim e sipër, dhe sapo të jetë i gatshëm dhe i plotë me të gjitha fazat e duhura do të mund të fillojnë punimet.

🔸 I propozuam disa projekte potenciale si renovimin e pjesës së mbetur të palestrës “Sezai Surroi”. U zotuam që sapo të përfundohet hartimi i plotë i projektit nga komuna, të vazhdojmë me renovimin e pjesës së fundit të kësaj palestre.

🔸 Nga komuna kërkuam të shqyrtohen mundësitë për lokacionet potenciale për një shtëpi të shahut, një sallë të xhudos, fusha të mbyllura të tenisit dhe një sallë pingpongu. U dakorduam që komuna të na dërgojë nga dy propozime për lokacionet e mundshme në mënyrë që Ministria t’i përfshijë në buxhet sipas prioriteteve për vitin e ardhshëm.

🔸 Një çështje tjetër që bashkëbiseduam ishte edhe ndërtesa e institucionit të arkivit në qytetin e Prizrenit. U dakorduam që të ndahen fondet për vitin e ardhshëm ndërsa nga komuna konfirmuan përzgjedhjen e lokacionit të përshtatshëm për këtë ndërtim që do të financohet nga Ministria e Kulturës.

Po ashtu, kryetarit Totaj ia shpalosa edhe dy programet kombëtare që do të nisin vitin e ardhshëm: Arti në shkolla dhe Sporti në shkolla, duke kërkuar nga ai dhe komuna mbështetje në zbatimin e këtyre programeve. Sigurova mbështetjen e pakursyer të kryetarit dhe komunës së Prizrenit.

E falënderoj kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, për pritjen, gatishmërinë dhe bashkëpunimin e deritashëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme