Ministri Çeku: Përfundon saga katër vjeçare, shpëton Emingjiku

4 Dhjetor, 2021 - 2:07 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka njoftuar se ka përfunduar restaurimi i Kompleksit të Banimit Emingjiku, përcjell KultPlus.

Çeku përmes një postimi në Facebook njofton se pas reataurimit do të vazhdojnë me hartimim e konceptit të ekspozitës permanente, dhe në vijim edhe trajtimin e ndërtesave tjera në kuadër të kompleksit.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të Çekut:

Përfundon saga katër vjeçare, shpëton Emingjiku.

Për shekuj me radhë, Kompleksi i Banimit Emingjiku i cili akomodon Muzeun Etnologjik, në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës ka ruajtur me fanatizëm shkëlqimin e vlerave estetike, duke bartur kujtesën kolektive nga brezi në brez.

Fatkeqësisht, ky aset jashtëzakonisht i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, për katër vite me radhë ishte lënë në mëshirë të kohës, duke u rrezikuar të shembet në çdo moment. Fal angazhimit maksimal të ekipit të profesionistëve nga fusha e trashëgimisë kulturore, ndërhyrjet restauruese që filluan në gusht të këtij viti, po i afrohen finalizimit, duke i kthyer hijeshinë dhe vlerat e trashëgimisë kulturore.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve restauruese, do të vazhdojmë me hartimim e konceptit të ekspozitës permanente, dhe në vijim edhe trajtimin e ndërtesave tjera në kuadër të kompleksit. Në këtë mënyrë, këto vlera të trashëgimisë kulturore do të vazhdojnë të ruhen, të prezantohen dhe të barten për brezat e ardhshëm.

Kompleksi Emingjiku bart në vete vlera të rëndësishme historike, artistike, shoqërore e ekonomike. Aty gërshetohen dëshmitë e mënyrës tradicionale të jetesës gjatë shek.18-19, mjeshtëria e artizanëve në projektim të hapësirave të veçanta të banimit, ku funksioni privat dhe shoqëror shtrihen në harmoni me oborrin. Ndërsa është ndër shembujt nismëtar të adaptimit të ndërtesave të trashëgimisë kulturore në funksione kulturore e publike, siç është rasti i shndërrimit të këtij kompleksi të banimit në Muze të Natyrës.

Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore./KultPlus.com

Të ngjajshme