10 Dhjetor, 2018 - 6:08 pm
Muzeu i Kosovës për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka shënuar këtë ngjarje me një aktivitet. Në ambientet e Muzeut është bërë promovimi i katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve në Kosovë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me këtë rast ministri Gashi u shpreh me kënaqësinë më të madhe po e promovojnë këtë katalog të rëndësishëm.
“Ky katalog sigurisht që promovohet me ju dhe përtej katalogut promovojmë bashkëpunimin e gjate tuajin me Muzeun e Kosovës. Imazhet taktile të paraqitura në këtë katalog, përmes shqisës së prekjes sjellin një pjesë të koleksionit të Muzeut më afër te personat e verbër dhe me dëmtime në të parë”, theksoi ministri Gashi, duke vlerësuar se shkrimet në alfabetin e Brail-it do t’u japin mundësi atyre të kuptojnë më shumë për historinë dhe tregimin e objekteve në Muzeun e Kosovës.
Ministri Gashi tha se MKRS-ja do të vazhdojë të përkrah aktivitete të kësaj natyre dhe t’u gjendet afër edhe kësaj kategorie të njerëzve. “Me lejoni t’ju siguroj se ky bashkëpunim do të vazhdojë, do të jemi së bashku edhe në shumë aktivitete tjera kurse në fund dua të falënderoj dhe përgëzoj stafin e Muzeut të Kosovës për përkushtimin e tyre dhe bashkëpunimin me ju”, u shpreh ministri.
Katalogu që u promovua sot në Muzeun e Kosovës, me imazhe taktile, përmes prekjes përmban kryesisht objekte nga sektori arkeologjik i Muzeut.
Ndërkaq, Daut Tishuku nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, e falënderoi ministrin Gashi, MKRS-në dhe Muzeun e Kosovës që bënë të mundur realizimin e këtij projekti të jashtëzakonisht të rëndësishëm për personat e verbër dhe me dëmtim në të parë.
“Kjo do të jetë një mundësi shtesë për ne që të njohim të kaluarën e popullit tonë, që përmes ndjesisë së prekjes të njohim arkeologjinë e Kosovës”, tha mes tjerash Tishuku. /KultPlus.com