2 Maj, 2018 - 10:38 am
Në kuadër të vizitës që është duke realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe drejtues të YMCA-së në Nju Jork. Kështu ai ka arritur të marrë mbështetje nga YMCA-ja, për shtrirje të saj në Republikën e Kosovës, ku të rinjve kosovarë do t’u jepet rasti që të jenë pjesë e këtij rrjeti të fuqishëm në mbarë botën.
Ministri Gashi gjatë këtij takimi ka kërkuar mbështetje në zhvillimin e programeve rinore për të rinjtë e Kosovës, me theks të veçantë, ndërtimit të kampit rinor në fshatin Pjetërshtan të Gjakovës. Ndërsa ka potencuar faktin se ndërtimi i një qendre rinore multi funksionale në Republikën e Kosovës, do t’i hap edhe një perspektivë më të madhe të rinjve të Republikës së Kosovës.
“Përvojat të cilat i kanë vendet e ndryshme të Botës e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në avancimin e pozitës së të rinjve janë modeli më i mirë që duhet marrë si model për vendin tonë”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi.
Në këto takime, ministri ka marrë mbështetje të fuqishme në zbatimin e këtij projekti në Republikën e Kosovës. Ndërsa gjatë kësaj vizite është pritur nga Rayda Marques, drejtoreshë e programeve ndërkombëtare të YMCA-së dhe Julie Galanty drejtoreshë ekzekutive për zhvillimin e rinisë e YMCA-së në Nju Jork.
Ministri Gashi ka njoftuar drejtuesit e YMCA-së se në Kosovë nevoja për përmirësimin e pjesëmarrjes së rinisë kosovare në aktivitete sociale vazhdon të jetë e rëndësisë së veçantë./ KultPlus.com