21 Shkurt, 2019 - 3:00 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për punën e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK).
Rregullorja e nënshkruar nga ana e ministrit Gashi do të përcaktojë mënyrën e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë, procedurat e punës, thirrjen dhe mbajtjen e mbledhjes, mënyrën e vendimmarrjes dhe votimit si dhe çështjet e tjera përkatëse të rëndësishme për punën e Këshillit Drejtues të MKK-së, ndërsa dispozitat e kësaj rregulloreje do të zbatohen nga Këshilli Drejtues, Drejtori i MKK-së, njësitë organizative dhe departamentet përkatëse të MKRS-së.
Ndër të tjera rregullorja parasheh që së paku njëherë në vit llogaridhënia e MKK-së të mbikëqyret nga auditori i pavarur, dhe për këtë KD i MKK-së duhet t’i drejtohet me kërkesë MKRS-së. Vet KD i MKK-së, sipas rregullores, përcakton politikat e Muzeut, po kështu, monitoron dhe vlerëson punën e Drejtorit të MKK-së, të shkarkojë dhe të zgjedhë atë. Sipas rregullores, KD përbëhet nga pesë anëtarë me një mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje dhe anëtarët duhet të jenë persona të dëshmuar nga fusha përkatëse profesionale. Për punën e tij, KD, duhet t’i raportojë së paku një herë në tre muaj ministrit.
Ministri Gashi tha se përpilimi i rregullores që parasheh punën dhe funksionimin e Këshillit Drejtues të MKK-së, nga këshilli i ri është cilësuar si një nevojë imediate për të përmirësuar funksionalizimin e këshillit si dhe për të ngritur efiqiencën dhe llogaridhënien në këtë institucion. Deri më tani, roli i Këshillit Drejtues të MKK-së, nuk ka qenë i specifikuara detajisht, prandaj, kjo rregullore mundëson një transparencë më të mirë në kryerjen e punëve të Këshillit Drejtues të MKK-së.
“Zbatimi në përpikëri i kësaj rregulloreje pritet të ngritë efiqiencën, efektivitetin dhe llogaridhënien në të gjitha instancat menaxhuese të MKK-së. Kjo pritet të rezultojë edhe në statisfaksion më të mirë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, menaxhmentit të MKK-së, posaçërisht në aspektin e aktiviteteve të përditshme dhe administrative në MKK”, ka theksuar Ministri Gashi pas nënshkrimit të Rregullores në fjalë. / KultPlus.com