6 Dhjetor, 2018 - 5:13 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mori pjesë në aktivitetin “Njihu me vullnetarët e vitit” të organizuar nga Kuvendi i të Rinjve të Kosovës.
Qëllimi i këtij organizmi ishte prezantimi i punës së bërë gjatë vitit 2018 nga ana e vullnetarëve së bashku me aktivitetet e organizatave partnere përmes prezantimeve në këndin e ndarë për promovimin e punës së tyre vullnetare.
Me këtë rast ministri Gashi tha se sot për herë të parë MKRS-ja zyrtarisht ka vendosur që ta njeh gjithë punën e vullnetarëve.
“MKRS-ja së bashku me UNICEF-in ka krijuar një data bazë e cila do i ndihmojë shumë të rinjve që të kryejnë punët e tyre vullnetare, për herë të parë në Kosovë kemi vullnetar të certifikuar edhe është një fakt që brenga e të rinjve që kanë pasur kur kanë aplikuar për punë ju është kërkuar përvoja e punës në tanimë përmes kësaj data baze kemi arritur që punën vullnetare ta njohim si përvojë pune” tha ministri Gashi.
“Ne jemi në finalizim të strategjisë për rini, e kemi ndryshuar atë plotësisht kemi bërë një dokument i cili u përshtatet kërkesave të të rinjve. Për herë të parë do ta kemi një fond rinor ku do ndahet një buxhet për të gjitha organizatat që kryejnë punë vullnetare, suksese dhe rezultate janë tek të rinjtë, fuqia e një shteti është rinia” tha ministri Gashi.
Ndërkaq, Kastriot Luma, kryetar i Kuvendit të të Rinjve tha se qëllim i KRK-së është përgatitja e të rinjve për sfidat që ata do ti kalojnë gjatë jetës së tyre.
“Qëllim i joni është përgatitja e të rinjve për sfidat që ata do ti kalojnë gjatë jetës së tyre si dhe për ti përgatitur ata në vendimmarrje. E gjithë kjo arritët në bashkëpunim. Sot kemi nevojë për një rini idealiste brenga e së cilës është e ardhmja e shtetit tonë”, tha ai.
Në fund organizatoret ndanë mirënjohje për ministrin Kujtim Gashi, për vullnetarët e Kuvendit të të rinjve dhe deputetëve të cilët ishin të pranishëm.