28 Dhjetor, 2018 - 4:23 pm
Alberina Haxhijaj
Ministri i Kulturë, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në një konferencë për media shpalosi të arriturat e Ministrisë së Kulturës për vitin 2018, shkruan KultPlus.
Ministri Gashi e cilësoi këtë vit që po e lëmë pas si një vit të suksesshëm kulturor duke theksuar se ka akoma projekte të cilat beson që do të realizohen në vitin 2019. Ai u shpreh se kjo ministri përmes mekanizmave institucional dhe ligjor ka vazhduar në përmbushjen e objektivave të përcaktuar në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit duke krijuar kështu një mjedisi institucional për zhvillim bashkëkohor të këtyre fushave.
Duke numëruar arritjet e kësaj ministrie ai theksoi se lajmi më i mirë dhe më i rëndësishme për të gjithë komunitetin artistik ishte vendimi për rritjen e pagave për krijuesit, performuesit dhe punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore.
Ministri Gashi u shpreh se e rëndësihme ka qenë edhe marrëveshja e Ministrisë së Kulturës për programin kulturor dhe atë kreativ “Evropa Kreative”. Ai theksoi se gjatë këtij viti është rritur edhe përkrahja e projekteve kulturore dhe artistike ku bartës të projekteve janë gratë, duke theksuar se është rritur edhe përkrahja e projekteve pjesë e të cilëve janë personat me nevoja të veçanta. Gjatë këtij viti është nënshkruar edhe kalendari përbashkët me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë në kuadër të cilit janë zhvilluar disa aktivitete.
“Departamenti i Kulturës gjatë këtij viti ka përkrahur aktivitete dhe projekte me shumën e përgjithshme rreth 1 milion euro e që është shuma më e madhe në këto vitet e pasluftës sa i përket mbështetjes së aktiviteteve kulturore”, theksoi ai.
Gashi tregoi se janë aprovuar edhe koncept dokumentet: Koncept Dokumenti për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, njëkohësisht jemi në përfundim edhe të Projektligjit për Filharmonine, Operën dhe Baletin; Koncept Dokumenti për Trashëgiminë Kulturore, njëkohësisht është punuar edhe drafti i parë i Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore; Koncept Dokumenti për Teatrot, njëkohësisht është punuar edhe drafti i parë i Projektligjit për Teatrot; Koncept Dokumenti për ndërmjetësimin e kontesteve në fushën e drejtës së autorit. Ndërsa në procedim e sipër janë: Koncept Dokumenti për Kinematografinë; Koncept Dokumenti për Rini; dhe Koncept Dokumenti për Arkivat.
“Viti 2019 do të jetë viti kur teatrot e qyteteve do të trajtohen me ligjin e ri dhe do të kenë fuqishëm mbështetje edhe teknike edhe financiare edhe nga komunat edhe nga ministria e kulturë”, u shpreh ai.
Ministri Gashi e ka vlerësuar si të suksesshme edhe përfaqësimin e Kosovës në ngjarjet ndërkombëtare kulturore. Ministri Gashi ka theksuar se prej që është themeluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për herë të parë është tejkaluar realizimi i Planit Legjislativ. MKRS-ja arritur të dërgojë për aprovim në Qeverinë e Kosovës tetë projektligje: Dy Projektligje nga fusha e Sportit; Tri Projektligje nga fusha e Kulturës; Një Projektligj nga fusha e Trashëgimisë Kulturore; Një Projektligj nga fusha e te Drejtës se Autorit dhe te Drejtat dhe një Projektligj i cili përfshinë fushën e Rinise, Kulturës dhe Sportit.
“Ajo që dua të theksoj për fund është se realizimi i buxhetit të Ministrisë së Kulturës dhe plani i punës është 98.6% dhe kjo ka qenë ndoshta një nga angazhimet me të mëdha që kemi bërë si ministri dhe si kabinet. Dua të falënderoj secilin anëtar të kabinetit dhe veçanërisht punëtorët e Ministrisë së Kulturës për një angazhim maksimal për të arritur të një rekord i 18-të viteve të pasluftës ku realizimi i buxhetit është afër 99% për vitin 2018”, theksoi ai.
Tutje ai u shpreh se do të mbesin të përkushtuar për të realizuar edhe programin e punës për vitin 2019./ KultPlus.com