Ministri pa nga afër përgatitjet për “Ekspozitën bazë” të Pavarësisë

21 Shkurt, 2018 - 3:55 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Muzeun e Kosovës për të parë nga afër përgatitjet që po bëhen për ‘Ekspozitën Bazë’ e cila është e paraparë në kuadër të aktiviteteve të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe në të cilën do të ekspozohen artefakte dhe koleksione të objekteve të trashëgimisë dhe historisë së vendit tonë.

“Ekspozita Bazë” në Muzeun e Kosovës shpërfaq kronologjinë historike dhe narrativat tematike. Për secilin pavijon janë identifikuar tema emblematike, të cilat materializohen në formë të eksponateve dhe vijave të përcaktuara të prezantimit.

Eksponatet që do të prezantohen në këtë ekspozitë datojnë që nga koha e Neolitit deri me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008. Të gjitha këto janë artefakte të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës dhe pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historike të Kosovës.

Ministri Gashi ka pranuar dhe shpalosur eksponatet e heroit kombëtar Isa Boletini nga Muzeu Kombëtar i Republikës së Shqipërisë, ndër to revolverin, shpatën, xhamadanin, orën dhe pipën.

Objektet e heroit do të jenë të ekspozuara për publikun në kuadër të ‘Ekspozitës Bazë’ në një afat të përkohshëm deri në muajin maj.

Ministri Gashi e ka vlerësuar punën që është bërë në përgatitjen e ekspozitës duke e cilësuar si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme e cila mundëson sjelljen para opinionit një kujtesë që nga lashtësia e deri në kohët moderne të historisë e të kaluarës sonë.

“Është ky një përkushtim dhe premtim i yni si ministri dhe si Qeveri e Kosovës në tërësi që trashëgiminë kulturore të vendit tonë ta trajtojmë ashtu siç duhet dhe e kemi mbështetur fuqishëm realizimin e ekspozitës në fjalë dhe dua të shpreh falënderimin e mirënjohjen për të gjithë ata që janë angazhuar për ta arritur një punë të këtillë të mrekullueshme”, tha ministri.

‘Ekspozita Bazë’ në Muzeun e Kosovës, solemnisht do të hapet më 23 shkurt 2018, ku nga ana e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli do t’i dhurohet Muzeut të Kosovës edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila do vazhdojë të jetë e prezantuar më ambientet e Muzeut të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme