Ministria e Kulturës miraton projektin për restaurimin e Xhamisë së Plumbit

22 Janar, 2018 - 1:12 pm

Më në fund një projekt për të shpëtuar Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga përmbytjet. #MbrojmeTrashegimineKulturore,- ky është lajmi i mirë që Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shpërndarë ditën e diel përmes një statusi në Facebook ku thekson se pas një bashkëpunimi të hershëm, projekti i restaurimit tashmë është gati.

“Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i japin zgjidhje plagës kryesore në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, pas miratimit të projektit për restaurimin e saj. Ky është vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve marrë në mbledhjen e tij të fundit, ku u shqyrtua në detaje projekti “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, Shkodër”, hartuar nga studio Ecolimarlik me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi. Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën turke dhe Agjencinë turke Tika, duke njohur vështirësinë e ndërhyrjes në një si të tillë që pëson rregullisht përmbytjet nga lumi por edhe nga uji i reshjeve”, shkruan Kumbaro.

Ministrja gjithashtu thekson se ndërhyrja e posaçme kërkon ndërtimin e një dige rreth xhamisë për të mbajtur larg ujërat nga muri strukturor i ndërtesës dhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij fenomeni që jo vetëm e bën të papërdorshme Xhaminë e Plumbit por edhe ka dëmtuar vlera të saj, që tashmë do të jenë objekt restaurimi.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Xhamia është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie që rrallë ndeshet në xhami të tjera.

Sipas të dhënave në IMK punimet restauruese të fundit janë bërë në vitin 1863, pas kësaj deri në shekullin e 20 nuk ka ndonjë ndërhyrje tjetër të regjistruar. Në vitin 1967 minarja e xhamisë është rrëzuar nga rrufeja. Gjatë viteve të regjimit komunist xhamia ka qenë e mbyllur dhe është hapur vetëm në vitin 1991. Në ndërhyrjet e viteve të fundit e gjithë suvatimi i ndërtesës është rinovuar me suva çimentoje dhe të gjitha dritaret dhe dyert janë rinovuar.

“Tashmë vjen faza e vështirë e zbatimit të këtij projekti kompleks, por që do të shtojë një destinacion të ri për t’u vizituar në Shkodrën e kulturës dhe të diversitetit fetar”, përfundon Kumbaro në statusin e saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme