Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me memorandum bashkëpunimi, synojnë integrimin në Evropë

29 Nëntor, 2017 - 1:59 pm

“Kalendari i përbashkët kulturor 2018, duhet të mbrohet nga kalendari i politikës që mund edhe ta eklipsojë kulturën, siç na duhet të pranojmë se na ndodhi këtë vit. Politika vete e vjen, kultura e njerëzit e saj mbeten, dhe sot po ne, politikanët e marrim këtë angazhim”, është shprehur ministrja e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro, shkruan KultPlus.

Në Shtëpinë e Flamurit, një prej ndërtesave simbol të qytetit të Korçës, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mbajtën një mbledhje të përbashkët, nën siglën “Një popull, një ëndërr”.
Qeveritë “Rama” dhe “Haradinaj” nisën mbledhjen e përbashkët, ku u diskutuan një sërë çështje që përfshijnë të gjitha fushat e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Ministri Kujtim Gashi nënshkruan në Korçë një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Përpos shkëmbimeve dhe zgjerimit të hartës kulturore ky memorandum bashkëpunimi nënshkruhet edhe në një tjetër fushë të rëndësishme, jo vetëm për vendet tona, por edhe për integrimin tonë në Evropë, posaçërisht në fushën e të drejtave të autorit.

Qarkullimi i vlerave dhe krijimtarisë kërkon me domosdo koordinimin e politikave dypalëshe për respektimin dhe standartizimin e copyright-it me praktikat më të mira evropiane.
Nëpërmjet këtij Memorandumi të dyja palët institucionalizojnë politikat shtetërore për të shkëmbyer praktikat më të fundit në administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe promovojnë të drejtat e artistëve shqiptarë e kosovarë në një treg të përbashkët në nocionin e kulturës pa kufij.
“Hapësira jonë kulturore është e përbashkët, tregu i krijimtarive po ashtu. Na duhet të jemi bashkë në këtë llogore. Mirëpresim çdo propozim të Ministrit Gashi, dhe do të ofrojmë cdo informacion juridik dhe administrative për të ndërtuar një mjedis ku respektohet mbi të gjitha autori dhe sigurohet vazhdimësia e krijimtarisë artistike”, ka thënë ministrja Kumbaro me këtë rast.

Kurse ministri Gashi u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë jo vetëm në fushën e të drejtës së autorit, por edhe në krijimin e një skene të përbashkët kulturore me Shqipërinë.
Kumbaro kujtoi se “Kalendari i përbashkët kulturor 2018, duhet të mbrohet nga kalendari i politikës që mund edhe ta eklipsojë kulturën, siç na duhet të pranojmë se na ndodhi këtë vit. Politika vete e vjen, kultura e njerëzit e saj mbeten, dhe sot po ne, politikanët e marrim këtë angazhim”.

Një vit më parë, Ministria e Kulturës në Shqipëri miratoi ligjin pёr tё drejtat e autorit dhe tё drejtat e tjera tё lidhura me të, një ligj pararojë dhe revolucionar që tashmë ka filluar të japë efektet e para pozitive, duke përmbushur kështu të gjitha detyrimet e fushës që burojnë nga Marrëveshja e Asocim Stabilizimit me Bashkimin Evropian./KultPlus.com

Të ngjajshme