Ministria e Kulturës: Vendosja e shtatores së Skënderbeut në Lezhë do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme

1 Mars, 2019 - 10:55 pm

Ministria e Kulturës ka dalë më një deklaratë në lidhje me shtatoren e Skënderbeut në Lezhë, bazamenti i të cilës është larguar. Sipas ministrisë, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse.

“Sheshi “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”, sipas Vendimit e Këshillit të Ministrave Nr. 728, datë 01.09.2010 “Për shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Lezhës dhe miratimin e rregullores së administrimit”, për këtë arsye Instituti i Monumenteve të Kulturës kërkoi nga Bashkia Lezhë dorëzimin e projektit për shqyrtim”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës së ministrisë projekti “Vendosja e shtatores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, në sheshin “Gjergj Fishta”, u dorëzua me mangësi nga Bashkia Lezhë me datë 26.02.2019 si dhe me datë 27.02.2019.

Duke vlerësuar situatën Instituti i Monumenteve të Kulturës i drejtohet Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me datë 27.02.2019 për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.

Ministria e Kulturës po ashtu ka bërë të ditur se aktualisht, projekti për vendosjen e shtatores të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut në sheshin “Gjergj Fishta”, Lezhë, parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme