Ministria zvarritë kthimin e gjësendeve të Jusuf Gërvallës në Kosovë

21 Nëntor, 2017 - 9:56 am

Ka gati një vit që autoritetet e Shqipërisë u kanë kthyer përgjigje pozitive atyre të Kosovës për t’i tërhequr gjësendet personale të atdhetarit, shkrimtarit e muzikantit Jusuf Gërvalla. Por një gjë e tillë ende nuk është konkretizuar.

Tetë gjësende që ishin dërguar në Shqipëri para më shumë se tridhjetë vjetësh është paraparë të kthehen në vend për ekspozim të përhershëm në kullën-muze të vëllezërve Gërvalla. Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë tash e 11 muaj i ka kthyer përgjigje pozitive Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për kthimin e tyre në vendlindjen e Gërvallës, por ky institucion ende nuk ka marrë një hap konkret për këtë.

Pantallona, xhakavento, këmishë, fanellë pambuku, këpucë, pastel i kuq, libreza e gazetës “Rilindja” dhe një çakmak, që i kanë takuar Jusuf Gërvallës – i cili u vra më 17 janar të vitit 1982 në Gjermani bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe bashkëveprimtarin e tyre Kadri Zekën – aktualisht ndodhen në fondusin e institucionit më të lartë muzeor në Shqipëri. Presin t’u bashkohen eksponateve e gjësendeve të tjera personale të vëllezërve Gërvalla që janë bërë tok në kullë, ku ndër të tjera ekspozohen kitara, orë, makina shkrimi, dorëshkrime, libra, rroba e të tjera.


Rikthimin e tyre në kullë, në fshatin Dubovik të Deçanit, e përuruar më 1 tetor të vitit të kaluar, në ditëlindjen e Jusuf Gërvallës, e kishte iniciuar bashkëshortja e tij, Suzana Gërvalla, para dy vjetësh. Stafi i Muzeut Historik Kombëtar i kishte sugjeruar që kërkesën ta bënte nëpërmjet Ministrisë së Kulturës së Kosovës. Kjo e fundit qysh nga dhjetori i vitit të kaluar e ka pranuar konfirmimin se kërkesa i është miratuar.

“Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës dhe propozimin e zonjës Suzana Gërvalla ne i jemi drejtuar Ministrisë së Kulturës në Tiranë për kthimin e objekteve të Jusuf Gërvallës. Në koordinim të dy ministrive dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar në Tiranë, kërkesa jonë është miratuar dhe ndërkohë na kanë dërguar edhe vendimin për tetë objektet për ekspozim të përhershëm në Kosovë”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit.

“Planifikojmë që objektet t’i ekspozojmë në Kullën e Jusuf Gërvallës në Dubovik”, ka shtuar ajo. Restaurimi i kësaj kulle ishte financuar nga Ministria e Kulturës në dy faza, me gjithsej 137 mijë euro. Pos kullës qe bërë edhe restaurimi i objektit tjetër, odës së Nënës Ajshe, për të cilën kishte investuar Komuna e Deçanit, shkruan Koha Ditore.

Sipas Aliut, fakti që gjësendet e Gërvallës nuk janë kthyer ende në Kosovë, me gjithë konfirmimin nga pala shqiptare, lidhet me çështje teknike./ KultPlus.com

Të ngjajshme