Ministrja Dumoshi: Të rinjtë, pjesa më potenciale e Kosovës

6 Shtator, 2017 - 3:06 pm

Në kuadër të Muajit të Rinisë, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi përfaqësuesit e strukturave dhe organizatave rinore në Kosovë, të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, të Qendrave të Rinisë, të Këshillave të Veprimit Rinor Lokal, dhe diskutoi me të rinjtë për fushën e rinisë në përgjithësi ku drejtpërsëdrejti u informua duke dëgjuar propozimet e tyre dhe shqetësimet me të cilat përballen të rinjtë e vendit tonë, përcjellë KultPlus.

Pjesë e diskutimeve të takimit, me theks, ishin manifestimet dhe aktivitetet që realizojnë të rinjtë anekënd Kosovës, dhe përkrahjen që MKRS-ja jep për ta, përmes programeve të ndërmarrësisë për punësim, mbështetja e aktiviteteve sportive me karakter jo-garues, përkrahja e aktiviteteve me qëllim të promovimit të vlerave kulturore Kosovës, qofshin ato tradicionale apo bashkëkohore, duke ftuar edhe të rinj të vendeve nga rajoni dhe vendet e tjera të Botës, për ta vizituar Kosovën si dhe organizimin e ngjarjeve në ditë të shënuara, si 12 gushti – Dita Ndërkombëtare e Rinisë, dhe aktivitetet e materialet që përkrahen në fushën e edukimit shëndetësor dhe sigurisë njerëzore.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më potenciale e vendit tonë dhe ne si institucion përpiqemi vazhdimisht që kjo pjesë elitare e shoqërisë të jetë pjesë aktive dhe kontributdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimit të vend.

Ndër të tjera, ministrja i informoi përfaqësuesit e të rinjve se Ministria është në proces të draftimit të “Strategjisë Kosovare dhe Planin e Veprimit për Rini 2018-2023” përmes të cilit parashihet të krijohet një sinergji e përbashkët ku do të rritet përkrahja edhe më tej për t’i arritur synimet e parapara që ndërlidhen me përmirësimin e pozitës së rinisë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Ministrja i inkurajoi strukturat dhe organizatat rinore që të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve në përgjithësi, sidomos për aplikim dhe sigurim të projekteve rajonale dhe europiane, siç është Zyra për Bashkëpunim Rinor Rajonal (RYCO).

Ndërkaq, përfaqësuesit e rinisë shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për gatishmërinë e ministres Dumoshi dhe të stafit të MKRS-së për të rritur mbështetjen për rininë, duke i dëgjuar propozimet e tyre, me synim të hartimit dhe realizimit të një strategjie që e nxitë pjesëmarrjen e rinisë në jetën institucionale dhe vendimmarrëse të Kosovës.

Gjithashtu, përfaqësuesit e rinisë e vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm të MKRS-së me strukturat dhe organizatat rinore, duke përkrahur edhe edukimin jo-formal. / KultPlus.com

Të ngjajshme