Ministrja Margariti: EU4Culture, rijetësim i monumenteve të kulturës të prekura nga tërmeti

11 Qershor, 2022 - 7:15 pm

Komiteti Drejtues për programin EU4Culture ka zhvilluar mbledhjen e 4-të ku u morëm vendime të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore.

Në këtë mbledhje me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS u diskutua për një sërë çështjesh, për të përcaktuar prioritetet e nevojshme në zbatimin e projektit.

Në fjalën e tyre, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtuesi i Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, Drejtuesja e Zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama, vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm të të gjitha palëve të interesuara në kuadër të programit EU4Culture.

Ministrja Margariti shprehet në një postim në rrjete sociale se një ndër projektet e diskutuara gjatë kësaj mbledhje ishte edhe ai për restaurimin dhe rikonceptualizimin e Muzeut Historik Kombëtar apo financimin në pajisje për digjitalizimin e arkivës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

“Bashkë me drejtuesin e Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, drejtuesen e zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe drejtuesen e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama analizuam punën e deritanishme dhe shprehëm angazhimin për të ecur më shpejt me kantieret e ringritjes dhe rijetësimit të monumenteve të kulturës, të prekura nga tërmeti i vitit 2019”, thekson Margariti.

Komiteti renditi sukseset e projektit duke përfshirë progresin e restaurimit të një sërë sitesh,  krijimin e eksperiencave dixhitale si dhe hapat përmbyllës të vlerësimit propozimeve të thirrjes së parë të skemës së granteve.

Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes.

Në kuadër të programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS, punimet rehabilituese kanë përfunduar në Kishën e Shën Ndout në Kepin e Rodonit dhe në Kishën e Rubikut, ndërsa po vijon puna në shtatë objekte të trashëgimisë kulturore si Torra Veneciane në Durrës, Teatri Kombëtar i Kukullave në Tiranë, Muzeu Etnografik i Krujës, etj./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme