Ministrja Margariti: Hapen aplikimet për Bonusin e Rijetësimit

9 Maj, 2022 - 7:00 pm

Ministria e Kulturës hapi sot aplikimet për të përfituar nga Bonusi i Rijetësimit, që u vjen në ndihmë banorëve të qendrave historike të qyteteve, që duan t’u japin jetë banesave të tyre.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se “Bonusi i Rijetësimit mbështet të gjithë ata që kanë në pronësi apo përdorim një objekt në qendra historike, ansamble historike urbane, zona arkeologjike apo monumente kulture jashtë tyre, për t’i restauruar apo rijetësuar”.

“Granti varion nga 1-5 milionë lekë, ndërsa aplikimi kryhet përmes portalit e-Albania.al, në rubrikën: “Aplikim për Leje për Ndërhyrje në Pasuri Kulturore Materiale dhe Bonus Rijetëzimi”.

Bonusi i Rijetësimit përfshin mbështetjeje financiare deri në 1 milion lekë, për ndërhyrje për mirëmbajtje, konservim, restaurim çatie, muraturë, porta, dritare, ndërsa deri në 5 milionë lekë për ndërhyrje për konservim, restaurim, rijetësim të pjesshëm ose të plotë , ku mund të përfshihen edhe instalimet elektrike, sanitare, mekanike, antizjarr. Aplikimet për financim mund të jenë : guest house, hotele, dyqan suvenir, artizanati, antikuari, bizhuterish, librari, videoteka, galeri arti dhe mjete pune, punishte, gastronomi për produktet vendase, pikë informacioni për turistët.

Me anë të Bonusit të Rijetësimit mund të ndërhyhet deri në 1 milion lekë për ndërhyrje mirëmbajtje dhe konservuese në pronësi private, që të ndikojnë në vlera dhe unitetin kompozicional të ansamblit historik/urban/qendrave historike.

Ndërsa deri në 5 milionë lekë mund të ndërhyhet për restaurim/rijetësim të pjesshëm ose të plotë në pasuritë e paluajtshme, në pronësi private, pjesë përbërëse e ansambleve historike urbane, qendrave historike, zonave arkeologjike ose me status pasuri kulturore si objekte të veçanta jashtë këtyre zonave. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme