Ministrja Margariti prezanton programin e Bonusit të Rijetësimit në Shkodër

10 Shkurt, 2022 - 5:00 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantoi sot në Shkodër Bonusin e Rijetësimit, program që mbështet trashëgiminë kulturore të vendit.

Ministrja Margariti tha se “ky program që nis këtë vit për herë të parë, si nismë e Ministrisë së Kulturës mbështet pronarët të mirëmbajnë dhe rijetësojnë objektet e tyre, banesa e biznese, në qendra historike, ansamble urbane, zona arkeologjike”.

“Shkodra është stacioni i radhës në një tur komunikimi me banorët dhe gjithë të interesuarit, për t’i informuar, por edhe për të marrë mendime, që kjo skemë të përmirësohet dhe t’u vijë në ndihmë të gjithëve”, tha Margariti.

Ministrja Margariti vuri në dukje se interesimi për t’u bërë pjesë e kësaj nisme, që bën bashkë shtetin dhe privatin, tregon për besimin që qytetarët kanë krijuar në punët e mira dhe konkrete, që prekin në mënyrë direkte mirëqënien e tyre ekonomike.

Ministria e Kulturës ka nisur një fushatë informimi dhe konsultimi në qytete të ndryshme të Shqipërisë për Bonusin e Rijetësimit. Kjo nismë përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.

Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme