6 Qershor, 2018 - 10:52 pm
Në mbështetje të Ligjit për Diasporën dhe me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën dy vendime me interes për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit; atë për “Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesëve të Këshillit Koordinues të Diasporës” dhe për ‘Kriteret dhe mënyrën e ndarjes së çmimit ‘Ambasador i Kombit” .
Vendimi i parë lidhet me ngritjen e Këshillit Koordinues, për përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve me diasporën. Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili do të përbëhet nga 15 anëtarë, identifikon problemet e diasporës, i propozon Ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën; etj. Në aktivitetet e Këshillit marrin pjesë Kryeministri dhe ministrat kryesorë.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me vlerësimin e pjesëtarëve më të suksesshëm të diasporës me çmimin “Ambasador i kombit”, si edhe përcaktimin e kritereve dhe mënyrën e ndarjes së këtij çmimi. Personave që do t’u akordohet çmimi duhet të kenë dhënë kontribut në fusha të tilla si; veprimtari humanitare; arsim, shkencë e teknologji, kulturë etj. Propozimet lidhur me përfaqësuesit e suksesshëm të cilëve do t’u jepet çmimi, do të bëhen nga Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të akredituar jashtë vendit./ KultPlus.com