15 Gusht, 2018 - 4:10 pm
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis, i cili shumë shpejt do ti nënshtrohet projektit madhor të konservim-restaurimit.
Bylis vazhdon të mbetet një atraksion turistik me një numër në rritje të vizitorëve. Për periudhën janar-korrik 2018 shënohet numri 3132 i vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku numri i vizitoreve shënonte 2636.
Ministria e Kulturës sapo ka hartuar projektin madhor të këtij parku, i cili parashikon konservim dhe restaurim të monumenteve, përmirësim të infrastrukturës, vendosjen e sinjalistikës, etj.
Bylisi është nje nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit. Në se Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik.
Vizitorët që shkojnë në Bylis mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe.
Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë. /KultPlus.com