27 Prill, 2022 - 9:00 pm
Komisioni për Politikën e Jashtme nën drejtimin e zëvendëskryetarit, Blendi Klosi shqyrtoi sot projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në komisionin parlamentar u shpreh se “kjo marrëveshje është nënshkruar në muajin nëntor të vitit 2021. Ka hapur kështu një udhë të re të menaxhimit të trashëgimisë tonë përmes ngritjes së këtij fondacioni të posaçëm dhe ka kaluar më pas në të gjitha rishikimet në institucione e Këshillit të Ministrave për të ardhur me të gjitha reflektimet e rekomandimet”.
Ajo tha se marrëveshja krijon një objekt menaxhimi hibrid, jo fitimprurës, ku shteti ka një rol tepër të rëndësishëm.
“Pronësia e territori dhe aset e Butrinti i mbeten Ministrisë së Kulturës si përfaqësuesi i shtetit. Mbi bazë e marrëveshjes, Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm bashkëthemeluar midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Fondacioni është i krijuar sipas ligjeve shqiptare dhe sipas ligjit të trashëgimisë së kulturës. Ministria e Kulturës ka dy përfaqësues në bord dhe kryesohet nga vetë ministri. Nuk ka asnjë impakt shtesë në buxhetin e shteti në krijimin e këtij fondacioni. Ministria e Kulturës vendos në arkën e përbashkët fondin aktual të Butrinti rreth 2 milion dollarë dhe shtohet fondi prej 5 milion dollarësh në formë granti nga partneri, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Në vazhdimësi ky fondacion do të vazhdojë të kontribuojë jo vetëm në Butrint. Çdo e ardhur e Butrinti ngel në Butrint. Organizata është një organizatë jofitimprurëse, por gjithashtu në këtë marrëveshje për herë të parë vazhdojmë dhe vendosim theksin tek kontributi që ku fondacion do të hedhë në fondin e madh të kujdesit të trashëgimisë kulturore”, sqaroi Margariti.
Ministrja tha se qeveria shqiptare ka krijuar një tjetër instrument që është arka për kujdesin e Trashëgimisë Kulturore dhe në këtë marrëveshje midis palëve kemi vendosur që ky fondacion jo vetëm të vazhdojë të derdhë paratë në Butrint, por të vazhdojë të kontribuojë për simotrat e e tij në territorin shqiptar.
“Përfitimet e palës shtet në këtë marrëveshja janë jo vetëm investimet që do të kryhen nga donatori në formën e grantit, por gjithashtu në konservimin dhe restaurimin e aseteve të reja që do t’i mbetet Butrinti. Marrëveshja e administrimit siguron një menaxhim të integruar të pasurisë kulturore dhe natyrore të nënzonës së peizazhit të parkut të Butrintit dhe vjen në përputhje të plotë të linjave guidë të planit të menaxhimit të integruar. Marrëveshja ka një kontratë 10 vjeçare me të drejtë rinovimi dhe rinovimi nuk është automatik në përfundimin e kësaj marrëveshje, por 6 muaj para afatit duhet të nisë një proces rinegocimi”, tha ajo.
Ajo tha se për herë të parë në këtë marrëveshje sjellim jo vetëm administrimin e aseteve, por gjithashtu një protokoll bashkëpunimi midis fondacionin dhe Institutin e Arkeologjisë.
“Ky është një rast i mirë për të parë se si është mirëadministrimi i siteve të kulturës nëpërmjet donatorëve dhe krijon radhë të tjerë bashkëpunimi. Synimi ynë është që brenda dy viteve të krijojmë bashkëpunime të tjera”, tha ministrja.
Deputetja e PD-së Ina Zhupa u shpreh se të gjitha të ardhurat e Butrintit shkonin në Ministrinë e Financave dhe Ministria e Financave i alokonte te Ministria e Kulturës.
“Ju tani po i çoni te fondi. Si mund t’i thoni shqiptareve sot se është sukses pasi i merrnim Butrinti 100% të të ardhurave është sukses se do t’i marrim 25 të të ardhurave”, tha Zhupa.
Në përgjigjet të Zhupës, ministrja Margariti u shpreh se “nëse deri më dje ruanim 90% të ardhurave të Butrinti, do të ruajmë 100% dhe do fillojmë të kontribuojmë dhe në arkën e madhe. Pra çdo gjë që vjen nga Butrinti ngel në Butrint dhe më shumë se fondet e mëparshme”.
Relatorja e kësaj marrëveshje, deputetja e PS-së Hatixhe Konomi u shpreh se kjo marrëveshje është në përputhje me nenin 100 të Kushtetutës.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së Tritan Shehu tha se “këtu kemi të bëjmë me diçka kombëtare me imazhin e Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një element substancial të pasurisë kombëtare, të pozicionit tonë, të krenarisë kombëtare dhe shumë gjerave që lidhen me imazhin tonë në rajon, madje me shumë se rajoni. Prandaj mendoj se duhet të jemi serioz me veten tonë sepse qeveria nuk është serioze me ne sepse po të ishte serioze nuk do sillte një material të tillë në 12 orë para mbledhjes”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com