Missi kosovar në Angli synon të gjejë kurën për sëmundjen e lëkurës e të ndërrojë bindjet për refugjatët

23 Prill, 2019 - 5:30 pm

E lindur në Maqedoni, kosovarja Fatime Gashi s’kishte menduar kurrë se do të bëhej një mbretëreshë e bukurisë.

Vitin e shkuar, teksa po kryente provimet e fundit në Universitetin e Salfordit, ajo mori një mesazh në Instagram që i sugjeronte të hynte në garën për Miss Manchester. 22-vjeçarja menjëherë tha jo, duke mos dashur të bënte asgjë tjetër pos provimeve të saj. Por pasi iu tregoi prindërve për garën, ata e bindën se ishte rast i madh për të dhe se duhej të provonte. Ajo jo vetëm që fitoi në këtë garë, por arriti të marrë edhe diplomë nderi të klasit të parë në Shkencë Biomjekësore.

Tani Fatimja ka marrë një vit pushim nga studimet për të punuar në “Skin HQ”, klinikë për kujdesin për lëkurën në Manchester. Duke folur për të arriturat e saj, Fatimja ka thënë për “Femail” se ka pasur nevojë për të organizuar kohën më mirë.

“Gara ishte të premten dhe provimet e fundit nisën të hënën. Fillimisht nuk doja të shkoja sepse më duhej kohë. Por shkova dhe fitova ‘Miss Manchesterin’ – ishte fitore e dyfishtë! Isha shumë e lumtur. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe e çmendur e ia vlente shumë”, ka thënë ajo, transmeton Koha.net.

Ajo ka thënë se shpreson të jetojë përgjithmonë në Manchester të Anglisë dhe të rikthehet në universitet për të studiuar për sëmundjen e lëkurës e të gjejë kurën për ekzemë e psoriasis.

Image

Gashi më pas kishte marrë pjesë në “Miss Anglia”. Ajo doli e treta në garën përfundimtare. Te ajo nuk është vetëm qëllimi që të ndryshojë bindjen e njerëzve për modelet. Ajo ka thënë po ashtu se dëshiron të largojë stigmën për refugjatët.

“Me problemin me refugjatët dhe Brexit, askush s’ju jep një shans. Vetëm se je nga një shtet tjetër nuk duhet t’iu ndalë të bëni atë që doni. Me të vërtetë dua që refugjatët të dinë se mund të përparojnë shumë. Nuk kam menduar kurrë se do të bëj diçka. Jam një vajzë e vogël kosovare dhe jam ‘Miss Manchester”, ka thënë ajo.

Gashi ka thënë se njerëzit e përdorin term refugjat për ofendim, megjithatë ka shtuar se në realitet është krejtësisht e kundërta.

“Të qenit refugjat tregon se keni fuqi! Prindërit e mi lanë gjithë familjen prapa për të pasur një jetë më të mirë. Erdha në Manchester në vitin 1999 pas ikjes nga zona e luftës. Do të jem përherë falënderuese për atë që ka bërë ky shtet për mua. Por jo të gjithë refugjatët kanë këtë shans”, ka shtuar ajo. “Kam punuar gjithë jetën sepse prindërit e mi më kanë instaluar një etikë pune të lartë. Tani shpresoj t’i ndihmoj tjerët”.

Fatimja ishte vetëm dyvjeçare kur prindërit e saj kishin shkuar në Manchester, dhe nëna e saj Qefserja ishte shtatzënë. Pasi kishin shkuar në Britani, ata u strehuan krahas 100 refugjatëve tjerë kosovarë. Fatimja akoma jeton me nënën e saj, që punon për Amazonin, dhe babanë Demushin që është instruktor i vozitjes. Fatimja ka punuar edhe si tutore e matematikës, modele, e ka pasur aktivitete vullnetare edhe nëpër spitale e qendra humanitare në Manchester.

Ajo tashmë ka vendosur të qëndrojë në drejtimin e bio-mjekësisë për të ndihmuar të gjejë kurë për shërimin e sëmundjeve.

Pasi ka fituar Miss Manchesterin vitin e shkuar, llogaria e Fatimes në Instagram shpërtheu dhe tash ka 16 mijë ndjekës. Ajo i ka quajtur superpërkrahës ndjekësit e saj. Ka shtuar se prindërit e saj dhe vëllai Leutrini e motra Lorita me gjyshërit e familjen në Kosovë janë shumë krenarë për të.

“Shkoj çdo verë për të parë familjen. Janë shumë krenarë e përkrahës. Kur fitova Miss Manchesterin isha nëpër lajme gjatë gjithë kohës. Ishte shumë e çuditshme. Por titulli im do të përfundojë shpejt. Duhet ta dorëzoj në qershor, por do të garoj për Miss North West. Nëse kaloj tutje do të jem sërish në Miss Anglia e shpresoj këtë herë të triumfoj”, ka përfunduar ajo.

Image

Të ngjajshme