Misteret e “Shpellës së Pëllumbasit”, atraksion turistik

4 Shtator, 2019 - 2:36 pm

Turizmi spelologjik në mbarë botën është kthyer në një dukuri tepër atraktive për vizitorët kuriozë të natyrës dhe historisë.

Shqipëria është e pasur me një larmi të madhe shpellash, ku një grup turistësh gjatë këtyre ditëve të para shtatori kanë zgjedhur të eksplorojnë “Shpellën e Pëllumbasit ” apo siç quhet edhe ndryshe “Shpella e Zezë”.

Kjo shpellë tashmë e kthyer në një atraksion turistik mjaft të veçantë gjendet në juglindje të Tiranës mbi grykën panoramike të Skorranës e krijuar nga lumi Erzen. Pamja në këtë vend është mjaft interesante pasi ndërthuren bukuritë e peizazhit përreth dhe pamja mistike e shpellës. Turistët aventurier kanë bërë një itinerar në këtë vend duke eksploruar bukuritë dhe misteret e kësaj shpelle.

Gjithashtu turistët kanë shijuar dhe rrugëtimin drejt shpellës përmes shtegut i cili është i mbrojtur nga parmakë druri të ndërtuara vitet e fundit përmes një pylli të dendur shkozash.  Ata gjithashtu shijuan në stolat prej druri një soditje të madhështisë së maleve të Pashkasheshit, Priskës (Skëterrës), dhe Dajtit përbri.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo të shfaqet befas dhe vjen duke u zgjeruar përherë dhe më shumë kur i afrohesh. Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me formën e saj, por edhe me ndërtimin e brendshëm, si në thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere.

Tavani shkëmbor është i mbushur me stalagmite gjithfarë formash dhe dyshemeja e saj me stalaktite. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara dhe me struktura nga më të çuditshmet.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë.  /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme