8 Nëntor, 2018 - 11:26 pm
Krejt e pazakontë por një shenjë e stacionëve të autobusëve të kryqytetit irlandez, Dublinit, e cila është e vendosur prej kohësh në një kafene në Prishtinë, i ka bërë kurioze mediet në Republikën e Irlandës.
Gjithçka nisi kur një qytetar irlandez i cili vizitoi Kosovën gjatë kësaj jave, gjeti një shenjë/tabelë të stacionëve të autobusëve të kryeqytetit të Republikës së Irlandës në Prishtinë.
“Jam duke udhëtuar nëpër shtetet ballkanike momentalisht dhe së fundmi isha në Kosovë. Vizitova një kafene të quajtur ‘Miqt Pub’, i cili nuk është lokal irlandez, por për befasinë time, aty gjeta një shenjë të stacionit të autobusëve të Dublinit”, i tha irlandezi Kevin Flanagan, mediumit nga Rep. e Irlandës, Joe.ie.
“Se si ka ardhur kjo tabelë shenjëzimi, pse është këtu, është një mister që duhet zgjidhur”, deklaroi Flangan të mërkurën, përcjell Insajderi.
Mirëpo, të enjtën mediet irlandeze e kanë vazhduar edhe më tej storien për tabelën e shënjëzimit nga Dublini që është gjetur në Prishtinë. Një temë pa shumë ndikim, por çuditshëm ka vazhduar interesimi i irlandezëve për këtë objekt që kanë parë në Prishtinë.
“Misteri prapa shenjës së autobusëve të Dublinit që u gjetë në një lokal në Kosovë, është bërë edhe më misterioz”, shkruan sot në titull mediumi Joe.ie.
Në këtë artikull, një lexues i Joe.ie tenton të shpjegojë se si kjo shenjë e stacionit të autobusëve nga Dublini kishte përfunduar në Prishtinë.
Irlandezi John Wynne deklaroi sot për Joe.ie se se ai ishte personi që e kishte vendosut tabelën në lokalin në Prishtinë.
“Ushtria irlandeze kishte një kontigjent shumë të madh të trupave që shërbenin në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2009, së pari me misionin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe më pas me misionin e udhëhequr nga NATO (KFOR). Qeveria irlandeze vendosi të përfundojë pjesëmarrjen tonë në mision, me përjashtim të një kuadri të vogël që punon ende atje”, deklaron Wynne.
Ai thotë se kur ishte në Kosovë me mision ushtarak, ishte përgjegjës për zhvendosjen e gjërave nga kampi i Ushtrisë Irlandeze në Prishtinë. Thotë se nga aty e kishte marrë shenjën e stacionit të autobusëve të cilën e kishte dërguar në lokalin në Prishtinë.
“Kisha dëgjuar se një djalë irlandez nga Limerik kishte hapur një bar irlandez në Prishtinë, i quajtur Pedi O’Brien, kështu që unë e kontaktova dhe e pyeta nëse e donte këtë tabelë të stacionit të autobusëve dhe ai e mori. Sot e kësaj dite, ajo shenjë ndodhet në atë lokal, i cili nuk është më irlandez”, u shpreh ai.
Jo vetëm një medium, por disa mediume në Irlandë – përfshirë edhe portalin Dublin Live – kanë shkruar lidhur me këtë shenjë të stacionit të autobusëve të Dublinit që ndodhet në Prishtinë. /Insajderi.com/ KultPlus.com