Mitrovica drejt hartimit të rregullores komunale për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore

20 Shtator, 2018 - 4:25 pm

Organizata 7 Arte organizoi debatin publik me temën “Rregullorja komunale për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore”, temë e cila buroi nga kriteret të cilat duhen përmbushur nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim për nivel lokal.

Sadije Jashari, nga Drejtoria për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, u shpreh rreth respektimit të agjendës evropiane në nivel lokal, ku vuri në pah zbatimin e marrëveshjeve në nivel lokal. “Afro 80% të kritereve janë realizuar në nivel lokal. Kanë mbetur edhe disa tjera në mënyrë që të plotësohen kriteret të cilat janë dedikuar për komunën tonë. Plani apo Rregullorja Komunale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, është një prej pikave që nuk është zbatuar ende në komunën tonë, prandaj trajtimi i kësaj teme ka rëndësi të veçantë për procesin në tërësi”, u shpreh ndër të tjera Jashari.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Rrezarta Loxha Vitaku shprehu rolin e QRMTK dhe rëndësinë e rregullores komunale për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ku precizoi se ekziston baza ligjore për inicimin e një rregulloreje të tillë. “Baza për krijimin e një rregulloreje komunale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ekziston. Janë 7 rregullore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku mund të bazohemi për të filluar një proces të tillë. Nga ana tjetër, shpreh brengë për zbatimin e një rregulloreje komunale. Kush do të ketë kompetencë për zbatimin? Si do jetë e ndarë, vetëm për trashëgimi kulturore të luajtshme apo të paluajtshme? E disa tema tjera të cilat duhet trajtuar në fazë të hershme”, shprehu Loxha Vitaku.

Ndër të tjera, të pranishmit trajtuan çështje të ndryshme si, nevoja për sigurimin e buxhetit për implementimin e rregullores, kurdo që të hartohet si dhe domosdoshmëria për të zgjeruar bashkëpunimin me Kabinetin e Kryetarit dhe Drejtorinë për Planifikim dhe Urbanizëm, në lidhje me hapat konkret qe duhet marrë drejt mbrotjes se Trashëgimisë Kulturore, plotësimit dhe zbatimit të ketij kriteri.

Rekomandimet e dalura nga debati:

1. Të ndermirren hapa konkret për Hartimin e planit për mbrojtjen e objekteve në gjendje jo të mirë fizike të Trashëgimisë Kulturore në nivelin lokal.
2. Fillimi i një dialogu konstruktiv për procesin e hartimit të Rregullores Komunale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ku do të kontribuonin organizatat e shoqërisë civile, Qendra Rajonale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria e Integrimeve Evropiane, Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport si dhe Drejtoria per Planifikim dhe Urbanizëm nga Komuna e Mitrovicës.

Ky debat u organizua në kuadër të projektit Zhvillimi i strategjisë së 7 Arte, qëllimi i të cilit është “Shoqëri mirë e informuar dhe demokratike, si dhe krijimi i hapësirës dhe mundësisë për artistët Kosovarë që të zhvillojnë dhe promovojnë artin dhe kulturën”./ KultPlus.com

Të ngjajshme