Mjekët e parë të Prishtinës, shpresa e shëndetësisë në mjerim

12 Dhjetor, 2017 - 7:27 pm

Në fillimvitet 50 të shekullit XX, ekzistonte një spital i përgjithshëm me 80 shtretër, objekt i trashëguar nga koha e Turqisë, dhe një poliklinikë me dy mjekë të kohës – Dr Panteliqi, që shkonte nëpër shtëpi për kontrollim të të sëmurëve, ndonëse mjek ushtarak, dhe Dr Tefik Rashiti (të dy nga koha e Mbretërisë serbe), si dhe një stomatolog, dr. Baruhi. Domethënë, këta kanë qenë mjekët e parë të Prishtinës.


Daut Mustafa

Të vjetrit e mbajnë mend edhe Dr.Tottin, i cili shkonte shtëpi më shtëpi. Sipas Dr. Daut Mustafës, në Prishtinë po punonin edhe Dr. Spiro Lito, një grek nga Gjirokastra, si dhe kirurgu italian Xhani Marketo. Në vonë, në vend të Spiro Litos vjen mjeku nga Kavaja, Dr. Mustafa Cara.

Në Prishtinë njihen që herët edhe Dr. Xheladin Deda – oftalmolog, Dr. Daut Mustafa – pneumolog, Dr. Izedin Osmani, Dr. Sehadete Mekuli, Dr. Ali Sokoli, shkruan KultPlus.


Xheladin Deda me gruan, Ballkize Bakiun

Kushtet në shëndetësinë kosovare ishin të mjerueshme, ndërsa i vetmi mjek shqiptar që punonte në ato vite në Prishtinë ishte oftalmologu Xheladin Deda, rreth viteve 1952. Në vitin 1958 sëmundjet ngjitëse po bënin hata mbi popullatën kosovare, vdekshmëria ishte e lartë, sidomos te fëmijët e moshës deri 1 vjeç. Në atë kohë ishte përhapur edhe sëmundja e tuberkulozit.

Ardhja në Prishtinë e Sehadete Mekulit me 1954 dhe Talat Pallaskës më 1958 paraqet mundësinë e parë për ecje drejt qëllimit.

Burimi: Libri “Prishtina e fëmijërisë sime” – Sanije Gashi.

Të ngjajshme