MKRS-ja do të kujdeset për ‘Mullirin e Dulahit’

7 Tetor, 2020 - 5:03 pm

Në kuadër të inspektimeve të lokaliteteve, objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka qëndruar në fshatin Mramor të Prishtinës, për të parë për së afërmi gjendjen e një objekti të vjetër i cili quhet “Mulliri i Dulahit”.

Ministrja duke parë gjendjen në të cilën ndodhet ky objekt, tha se MKRS-ja do të ndërmarrë hapat e shpejtë për konservimin e mullirit që ai t’i rezistojë stinës së dimrit dhe më pas, vitin e ardhshëm, profesionistët e trashëgimisë kulturore do të vendosin se çfarë do të ndërmerret më tutje.

Ministrja tha se ky mulli ka rëndësinë e vet historike dhe pozita gjeografike në të cilën ndodhet, ka shërbyer dhe luajtur një rol jetik për mirëqenien e popullsisë së kësaj zone.

“Ashtu si çdo objekt tjetër të vjetër, si institucion e kemi obligim që të kujdesemi për të. Me të marrë informacion për mullirin dhe gjendjen e tij, kam pasur dëshirë që personalisht ta shoh për së afërmi se në çfarë situate ndodhet objekti. Zyrtarët e trashëgimisë veçse kanë ndërmarrë hapat e parë, duke evidentuar detajisht gjendjen e Mullirit të Dulahit dhe si MKRS do të ruajmë këtë objekt në kuadër të trashëgimisë tonë kulturore, me proces të konservimit e restaurimit, ashtu si do të propozojnë ekspertët e trashëgimisë”, ka deklaruar ministrja.

Mulliri i Dulahit ka qenë mulli me ujë, që ka një karakteristikë për dallim nga mullinjtë përreth, sepse gjatësia e vijës së ujit ka qenë e gjatë 1000 metra dhe presioni i ujit i ka vënë në funksion gurët për bluarje. Mulliri është ndërtuar në vitin 1918 dhe ka funksionuar si i tillë deri në vitet e ‘90-ta të shek. 20. / KultPlus.com

Të ngjajshme