29 Qershor, 2024 - 9:26 am
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pas disa diskutimeve publike lidhur me punimet restauruese të cilat po realizohen në “Ish-Ambullantën e vjetër – Shtëpinë e Xhafer Devës”, ka dalur me një sqarim publik për punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore, i cili bën pjesë në listën e monumenteve në mbrojtje të përhershme.
Një fotografi e cila paraqet anën e pasme të objektit, ende pa përfunduar procesi i restaurimit, duke e krahasuar me gjendjen paraprake të këtij munumenti, këto ditë ka bërë bujë. Ky krahasim i pamjes aktuale të fasadës me pamjen e dikurshme të objektit me tulla është cilësuar si tjetërsim nga pamja origjinale e këtij monumenti të arkitekturës, të ndërtuar gjatë viteve 1930.
“Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e MKRS.
MKRS gjithashtu ka bërë të ditur se përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të MKRS në facebook:
“Ish-Ambullanta e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, si monument i arkitekturës së ndërtuar gjatë viteve 1930. Nga zjarrvënia e parë në vitin 2015, e dyta në vitin 2018, ky monument është lënë në gjendje shumë të keqe fizike, në mëshirë të kohës.
Ministria e Kulturës ka përfshirë këtë monument në programin e investimeve restauruese, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të mëtejmë për shkatërrim, restaurimin e ndërtesës dhe rifunksionalizimin e saj në shërbim publik për komunitetin.
Projekti i restaurimit të ndërtesës është hartuar nga ekipi i profesionistëve të organizatës jo-qeveritare, Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe është pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (Nr. 41/2021, data 07.10.2021)
Projekti i restaurimit është hartuar në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, ku krahas rehabilitimit të strukturës së ndërtesës, është marrë parasysh trajtimi i vlerave estetike, me qëllim të rikthimit të pamjes fillestare të saj. Hartimi i projektit gjithashtu ka marrë parasysh transformimet e shumta që janë bërë në ndërtesë gjatë kohës, sikurse hapja dhe mbyllja e dritareve, të cilat nuk kanë ekzistuar në gjendjen fillestare të ndërtesës.
Bazuar në shtresat e ngjyrave në përdhesë, në fotografitë e vjetra të ndërtesës, dhe në analogjinë me ndërtesa të stilit të ngjashëm të ndërtuar gjatë periudhës së njëjtë në Kosovë, kjo ndërtesë është ndërtuar me tulla të argjilës së pjekur, të mbuluar me suva, si material që mbron strukturën e murit të ndërtuar me tulla.
Gjendja e ndërtesës para fillimit të restaurimit, ka qenë si rezultat i zjarreve të shkaktuara, dhe i ndërhyrjeve restauruese të filluara në vitin 2018, e të papërfunduara, ku janë shfaqur muret e zhveshur nga suvaja, të ekspozuar ndaj ndikimeve atmosferike.
Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500,000 euro për restaurim të plotë të monumentit. Ndërhyrjet restauruese po zhvillohen nga kompania e licencuar për fushën e trashëgimisë kulturore, në përputhje me rregullativën ligjore, duke siguruar kështu që punimet të zhvillohen nga mjeshtër e profesionistë të licencuar, nën mbikëqyrjen e stafit profesional të institucioneve tona.
Përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.
Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre./ KultPlus.com