4 Dhjetor, 2017 - 12:50 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shpallë konkursin për çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.
Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae”, Çmimin Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi”, Çmimin Vjetor për Vepër Shkencore “Zef Mirdita” dhe Çmimin Vjetor për Menaxhim Institucional “Muhamed Shukriu”.
Çmimi për Veprimtari Jetësore në Fushën e Trashëgimisë Kulturore “Dea Dardanicae”:
Ky Çmim u jepet personaliteteve të shquara, profesionistëve të dalluar, të cilët me angazhimin e tyre të vazhdueshëm kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e trashëgimisë kulturore si dhe kanë nxitur të arriturat në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Laureatë të këtij çmimi mund të jenë profesionistët, studiuesit dhe hulumtuesit në fushën e trashëgimisë kulturore, shtetas të Republikës së Kosovës dhe shtetas të vendeve të tjera.
Çmimi Vjetor për Merita të Veçanta “Shtjefën Gjeqovi”:
Ky Çmim u jepet personaliteteve të dalluara në fushën e trashëgimisë kulturore, për angazhimin, kontributin dhe të arriturat përgjatë vitit për përmbushjen e detyrimit kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Laureatë të këtij çmimi mund të jenë profesionistët, studiuesit dhe hulumtuesit në fushën e trashëgimisë kulturore, shtetas të Republikës së Kosovës dhe shtetas të vendeve të tjera.
Çmimi Vjetor për Vepër Shkencore “Zef Mirdita”:
Ky Çmim u jepet autorëve për vepër shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore. Laureatë të këtij çmimi mund të jenë profesionistët, studiuesit dhe hulumtuesit në fushën e trashëgimisë kulturore, shtetas të Republikës së Kosovës dhe shtetas të vendeve të tjera.
Çmimi Vjetor për Menaxhim Institucional “Muhamed Shukriu”:
Ky Çmim u jepet udhëheqësve të institucioneve dhe punonjësve të institucioneve publike dhe jopublike që në mandat kanë mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Laureatë të këtij çmimi mund të jenë udhëheqësit dhe punonjësit e institucioneve publike dhe jopublike të institucioneve të trashëgimisë kulturore shtetas të Republikës së Kosovës.
Vlerësimin për dhënien e çmimeve e bën juria profesionale. Konkurrimi për Çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore mund të bëhet përmes propozimit nga: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (për tri çmimet e para); Institucionet e trashëgimisë kulturore; Institutet shkencore, arkivat, muzetë; Fakultetet e universiteteve publike si dhe private të Republikës së Kosovës; Shoqatat dhe organizata që merren me trashëgimisë kulturore; Personat fizikë dhe juridikë.
Propozimi duhet të përmbajë: ‐ Dokumentacion personal (kopje e dokumentit identifikues); ‐ Biografia me fokus në veprimtarinë për të cilin çmim nominohet; ‐ Dëshmitë relevante për kontributet të publikuara të të nominuarve (abstraktet e publikimeve nga fusha për të cilën nominohen, dëshmia dhe përmbajta e projekteve profesionale apo shkencore, vlerësimet dhe rekomandimet për kontribut në menaxhimin institucional në fushën për të cilën nominohet). Propozimi duhet të nënshkruhet nga titullari që ka të drejtën e propozimit.
Propozimet me shkrim duhet të dërgohen deri me 31 dhjetor 2017./ KultPlus.com