13 Korrik, 2019 - 3:00 pm
Ashtu si herëve të tjera, edhe kësaj radhe Komuna e Suharekës, e cila është ndër trevat që më së shumti ka dhënë monumente të gurit nga koha romake në Kosovë, na befasoi për të mirë me gjetje të reja arkeologjike. Bëhet fjalë për një stelë, e cila përbën tipin më të shumtë të monumenteve mbivarrore nga koha romake në Dardani, shkruan sot Koha Ditore.
U gjet rastësisht në fshatin Peqan gjatë punimeve me ekskavator në truallin e Visar Bytyqit, me rastin e ndërtimit të shtëpisë, prej nga është bartur në Muzeun e Suharekës. Duhet theksuar se në këtë fshat kohë më parë u gjet edhe altari i kultit me kurorën e dekoruar në mënyrë të shkëlqyer (Khr. E. Dobruna-Salihu, Saxa loquuntur, Prishtinë 2016, 164-167, fig. 6a-6c).
Stela është e punuar në gur gëlqeror me përmasa 176 x 57-60 cm. Është e tëra dhe e ruajtur mjaft mirë. Si në të shumtën e rasteve përbëhet nga dy pjesë: fusha relievore me mbarim harkor, të cilit i takon numri më i madh i stelave sidomos në Kosovë dhe ajo mbishkrimore e profilizuar dhe e rrethuar me motivin bimor (të hardhisë, apo urthit), ku në këtë rast bëhet fjalë për atë të urthit, i cili me dy degëza del nga një vaze (këtu “kantaros”) në fund, që përbën motivin më të shpeshtë të stelave dhe njërën ndër karakteristikat kryesore të tyre në të gjithë Dardaninë. Ne fushën relievore janë skalitur dy buste femrash: një që i takon personit të rritur, e cila e zë tërë fushën dhe një me përmasa të vogla në gjoksin e saj, që i takon fëmijës, ku, bazuar në mbishkrim, bëhet fjalë për nënën dhe fëmijën. Që të dyja janë skalitur mjaft mirë, sidomos personi i rritur (nëna), ku në stilin e punimit mbisundojnë plasticiteti, proporcionaliteti dhe realizmi.