19 Korrik, 2018 - 7:31 pm
Zhdukja e një fëmije “të shitur” nuk ka të bëjë “aspak me Kongregatën e Misionareve të Dashurisë”. Për murgeshat shtohen “mitet, informacionet e shtrembëruara dhe lajmet e rreme… së bashku me aludime pa bazë”. Tregimi dhe mbrojtja e motër Premës, pasardhëses së dytë të shën Nënë Terezës, në krye të Kongregatës.
“Shitja” e një fëmije të sapolindur nga ana e një punonjëseje të motrave të Nënë Terezës në Ranchi të Indisë, shkaktoi, ditë më parë, arrestimin e një murgeshe dhe hapjen e hetimeve për të gjitha shtëpitë, ku Misionaret e Dashurisë kujdesen për fëmijët. Sipas personaliteteve të ndryshme në vend, rasti po instrumentalizohet politikisht. Në deklaratën e saj të parë zyrtare, eprorja aktuale e motrave të Nënë Terezës, motër Mary Prema, krahas me besimin në ligjin e gjykatat, ngre zërin kundër “miteve të përhapura, informacioneve të shtrembëruara dhe lajmeve të rreme… si edhe kundër aludimeve pa bazë”, objekt i të cilave janë motrat e shenjtores shqiptare të bamirësisë. Motër Prema vë në dukje zellin e çuditshëm denigrues të disa zyrave qeveritare, që deri pak javë më parë e ngrinin në qiell punën e murgeshave e përfundon, duke u lutur për të gjithë të prekurit nga ngjarjet. Deklarata e eprores së Misionareve të Dashurisë u bë e njohur dje nga Shtëpia Nënë në Kalkutë dhe u botua nga Agjencia katolike AsiaNews. Ja deklarata e plotë:
Deklarata e motër Premës
Jemi thellësisht të trishtuara e të mërzitura për zhvillimet e fundit në shtëpinë e Misionareve të Dashurisë Nirmal Hriday në East Jail Road të Ranchi-t. Ndërsa shprehim besimin tonë të plotë në procesin gjyqësor në vijim, dëshirojmë të shprehim edhe keqardhjen për sa ka ndodhur, si edhe dënimin tonë pa mëdyshje për veprime individuale, që s’kanë të bëjnë aspak me kongregatën e Misionareve të Dashurisë. Po bashkëpunojmë plotësisht me hetuesit e jemi të gatshme për të pranuar çdo hetim të lirë, të ekuilibruar e të drejtë. Në këtë kuadër, sidomos duke pasur parasysh mitet e shumta, informacionet e shtrembëruara dhe lajmet e rreme, që përhapen së bashku me aludime pa bazë për motrat e Nënë Terezës, është e rëndësishme t’i tregojmë ngjarjet, ashtu siç kanë ndodhur me të vërtetë.
Motër Concelia është emëruar përgjegjëse e seksionit të “nënave të pamartuara” në Nirmal Hriday, East Jail Road, Ranchi, më 6 qershor 2017. Kishte përgjegjësi për pranimin, mjekimin spitalor, këshillimin, regjistrimin, shoqërimin e nënave dhe të të sapolindurve, si edhe për daljen e tyre nga qendra, në kuadrin e Komitetit për Kujdesin ndaj Fëmijëve (Cwc).
Zonja Anima Indwar (punonjësja e arrestuar) filloi të punonte në Nirmal Hriday në janar 2012. Fillimisht si ndihmëse seksioni e pastaj, si anëtare e grupit që kujdesej për nënat pa bashkëshort. E mësoi shumë mirë punën dhe e ndihmoi me aftësi motër Concelian. Në këtë mënyrë, zonja Anima Indwar fitoi besimin e motrave të Nirmal Hriday. Kështu, kur motër Concelia kishte punë urgjente, zonja Anima Indwar i shoqëronte vetë nënat “single”, fëmijët dhe kujdestarët e tyre në Sadar Hospital, në Institutin Rajendra për Shkencat Mjekësore apo në zyrën e Komitetit, sipas rastit.
Më 29 qershor 2018, rreth orës 12.30, një përfaqësuese e Zyrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, zonja Seema dhe anëtarë të tjerë të Ndihmës Sociale, rreth pesë vetë, erdhën në Nirmal Hriday. Kërkuan regjistrat e pranimit dhe të rezidencës, që përmbajnë informacione për të gjithë banorët e shtëpisë. Sekuestruan regjistrat e Nirmal Hriday pa dhënë asnjë çertifikatë për këtë. Ndër regjistrimet për “nënat pa bashkëshort”, këta përfaqësues zgjodhën në veçanti atë për zonjën Karishma Toppo e fëmijën e saj. Zonja Karishma Toppo u pranua në Nirmal Hriday më 19 mars 2018 dhe e lindi fëmijën e saj më 1 maj 2018. Pas lindjes, zonja Karishma Toppo deklaroi se do t’ia dorëzonte foshnjen Komitetit. Kështu, zonja Anima Indwar, zonja Karishma Toppo dhe kujdestari i saj e morën fëmijën nga Nirmal Hriday për ta dorëzuar. As Nirmal Hriday, as murgeshat nuk mundën të siguroheshin në asnjë mënyrë për dorëzimin efektiv të fëmijës në Komitetin Cwc. Kjo, sepse edhe vetë Komiteti nuk e ka zakon t’i japë ndonjë çertifikatë Shtëpisë, pasi e ka marrë në dorëzim fëmijën, bir i nënës së pamartuar.
Më 3 korrik 2018, e pyetur nga Komiteti për Kujdesin ndaj Fëmijëve, zonja Anima Indwar pranoi se fëmija i zonjës Karishma Toppo nuk i është dorëzuar Cwc. Pas këtij pranimi, Komiteti e çoi në polici. Edhe fëmija i zonjës Karishma Toppo iu dorëzua Cwc-së nga zonjat Anima Indwar dhe Karishma Toppo, po atë ditë.
Më 4 korrik 2018, motër Concelia dhe motër Marie Deanne, eprore e Nirmal Hriday, u morën në pyetje nga policia. Motër Concelia u arrestua, ndërsa motër Marie Deanne, pasi u mbajt deri në orën 7 të mbrëmjes së ditës së mëpasme, u la e lirë.
Mbrëmjen e 4 korrikut 2018, pas asnjë paralajmërim, Cwc dhe përfaqësuesja e Zyrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, zonja Seema, morën me vete 11 nëna të pamartuara, një nënë me fëmijën e vet dhe një nga kujdestarët e shtëpisë. Ato gra janë poshtëruar thellësisht e turpëruar publikisht, pasi u tërhoqën jashtë shtëpisë para shumë mediave. Për arsye të panjohura, më 6 korrik 2018, shtëpia jonë e Shishu Bhawan-it në Hinoo u bastis nga policia dhe nga Cwc-ja. 22 fëmijët, që banonin në shtëpi, u morën me vete nga Cwc-ja, përfshirë edhe një fëmijë njëmuajsh. Gjatë qëndrimit në Cwc, njëri nga fëmijët u sëmur rëndë dhe u shtrua në terapi intensive në Rani Hospital. Edhe regjistrimet dhe regjistrat e kësaj shtëpie u morën nga përfaqësuesit zyrtarë, pa asnjë lloj çertifikimi. Është e dhimbshme që Cwc-ja t’i rezervojë një trajtim të tillë një shtëpie, që vetëm dy javë më parë, vetë përfaqësuesit e tij e quajtën “ambient të shkëlqyer për kujdesin e fëmijëve”.
Duke ndjekur gjurmët e themelueses, shën Nënë Terezës, Misionaret e Dashurisë kujdesen për të varfërit, për të braktisurit e për të mjerët që nga viti 1950. Sot kanë 5167 murgesha, aktive e kundruese, me 760 shtëpi në 139 vende. Në Indi, Misionaret e Dashurisë kanë 244 shtëpi, përfshirë ato në Jharkhand. Me punën tonë, u japim një shtëpi të sëmurëve nga gërbula, tuberkulozi, Sida, fëmijëve dhe të rriturve me probleme fizike e mendore, sigurojmë fjetore, dispensa për kurimet e para mjekësore, shtëpi për gratë në vështirësi, për vajzat në rrezik, për gra shtatzënë të braktisura, për gra, që varfëria dhe uria i kanë nxjerrë në rrugë.
Kongregata e Misionareve të Dashurisë impenjohet ta vazhdojë shërbimin e vet për më të varfërit e të varfërve, me zemër e falas, për t’u ardhur në ndihmë nevojtarëve dhe të brishtëve, pavarësisht nga kritikat e pabazuara e të paprecedent, që duhet të përballojmë sot. Kemi besim të plotë në ligjin e në Gjykatat, në hetimet e autoriteteve e, jemi të bindura se do të mbizotërojë drejtësia.
Lutemi për të gjithë ata, që janë prekur nga zhvillimet e fundit dhe i kërkojmë Zotit t’i bekojë të gjithë ata, që na qëndrojnë pranë në këto çaste të vështira e të dhimbshme, duke ia besuar Hyut gjithë njerëzit vullnetmirë. Nëna jonë, Shën Tereza e Kalkutës, ndërmjetësoftë për ne pranë Atit të Gjithpushtetshëm. Motër Mary Prema.