16 Janar, 2018 - 6:45 pm
Një ekspozitë me statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky është thelbi i ekspozitës “Moti i madh”, që çelet në Muzeun Historik Kombëtar më 17 janar.
Drejtori Dorian Koçi tha dje për “Gazeta Shqiptare” se ndërkaq, do të ketë edhe projeksione artistike me dokumentarë dhe imazhe nga filmi i Skënderbeut, që e pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.
Ai kujton se Viti i Skënderbeut nuk ka në vëmendje heroin. “Në fakt, brenda këtij viti ka edhe ngjarje të tjera të rëndësishme, që kanë po të njëjtën rezonancë. Kemi 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, të cilat do të përkujtohen dhe festohen në këtë kuadër. Edhe aktivitetet e tjera, që do të organizojë Muzeu Historik Kombëtar do të jenë në kuadër të këtyre ngjarjeve. Në këtë mënyrë do të kemi një përafrim dhe një përqasje më tepër të historisë”, vërejti Koçi.
Ai bëri me dije se do të jenë në dispozicion të ekspozitave me tematikë nga epoka e Skënderbeut, por edhe të ngjarjeve të tjera që përmenda më sipër, holli qendror i Muzeut Historik Kombëtar, si dhe sallat e ekspozitave. Salla “UNESCO” dhe ajo “Konstandin Shpataraku” gjithashtu do të jenë të gatshme për aktivitete shkencore dhe mbajtje kumtesash. Ndërkohë që vizitorët do të mund të njihen me objektet e kësaj periudhe, që janë të pasqyruara në Pavionin e Mesjetës, ku një hapësirë të madhe të tij e zë periudha e Skënderbeut.
Në përgjigje të pyetjes se çfarë ruan Muzeu prej kohës që heroi qe gjallë, Koçi thotë se “objekti qendror i ekspozitës është kambana e Karpenit, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Ekspozita përmban ekspozitorë, të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës”.
Në kuadër të përkujtimit të 550-vjetorit të Skënderbeut do të ekspozohet edhe një tjetër kambanë, që për nga paraqitja, simbolikat që bart dhe viti i gdhendur në të është ende më e rëndësishme. Kjo kambanë do jetë pjesë e ekspozitës që Kryeministria çel në Pallatin e Kongreseve.
Bëhet fjalë për kambanën e Shelcanit.