23 Maj, 2018 - 4:30 pm
Shqipëria zotëron shumë site arkeologjike, të pasura me mozaikë. Disa prej këtyre mozaikëve janë bërë objekt studimi dhe restaurimi ndër vite, të tjerë mozaikë presin të studiohen, restaurohen si dhe dokumentohen nëpërmjet publikimeve shkencore.
Për këtë arsye, specialistët e mozaikëve, Agron Islami dhe Marie-Patricia Raynaud sollën sot vëllimin e parë të serisë “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë”, një botim i çmuar, i cili i dedikohet mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit, që u pubikua për publikun në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Publikimi “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë” është një seri vëllimesh të cilat pasqyrojnë rezultatet e punës disa-vjeçare të hulumtimit në terren të dyshemeve me mozaik (mozaikë, opus sectile dhe veshje me pllaka ose plloça) në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Botimi përmban një format të madh ku përfshihen planimetri të lexueshme dhe dokumentacion fotografik i shfrytëzueshëm me ngjyra. Publikimi pasqyron një inventar të detajuar të të gjithë mozaikëve në Butrint të dokumentuara sipas fishave të dedikuara për këtë tipologji.
Ky është një nga botimet e para që ndodh në këtë fushë,me të cilin kurorëzohen 5 vite punë, të stafit të ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me ambasadën franceze dhe ekspertët francez. Këto specialistë kanë vite që punojnë dhe studiojnë në terren duke sjellë një punë të denjë kërkimore dhe me shumë vlerë të këtyre mozaikëve.
Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se ”kjo është një iniciativë të cilën e kam ndjekur me shumë interes dhe me një lloj pasioni që unë ndjejë për trashëgiminë kulturore”./ KultPlus.com