Mozaiku i Skënderbeut në Prizren vendoset në parking dhe kokëposhtë

11 Dhjetor, 2018 - 8:30 pm

Më 28 nëntor në qendër të Prizrenit ishte vendosur mozaiku i Skënderbeut i realizuar nga artisti Besart Gashin. Këtë ditë shumë qytetare u ndalën pranë këtij mozaiku dhe e vlerësuan punën e artistit. Mirëpo tani mozaiku është larguar nga aty dhe është vendosur në një parking mbrapa komunës së qytetit.

Për këtë veprim ka reaguar artisti i cili po ashtu ka treguar se gjatë zhvendosjes nuk është treguar kujdes ndaj punimit të realizuar.
“Kjo është gjendja e Mozaikut të kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilin e punova për nderë të festës së 28 nëntorit për qytetin e Prizrenit. Komuna e Prizrenit e ka tërhequr nga ai vend mozaikun, pra nga ku u vendos për 28 Nëntor pa më informuar fare dhe e kanë dërguar në parkingun e automjeteve i cili gjendet mbrapa komunës. E kanë vendosur në mënyrën ma barbare të mundshme me kokë mbrapsht. Kjo është jeta e artistit në Kosovë. Kjo është gjendja në Kosovën tonë të dashur në të cilën veprat e artit trajtohen në mënyrën më të keqe”, ka shkruar ai në Facebook.

Mozaiku është punuar me një konstruksion metali dhe me një lloj druri që është rezistues ndaj kushteve atmosferike. Në brendi të mozaikut janë të vendosur edhe dritat për ndriçim të cilat do e bëjnë të identifikueshme këtë vepër edhe gjatë natës. Dimensionet në të cilat është punuar ky mozaik janë 3m × 4m./ KultPlus.com

Të ngjajshme