21 Korrik, 2019 - 12:30 pm
Në kuadër të ciklit “Sekrete mjeshtërie”, Ministria e Kulturës ka publikuar sot historinë e veçantë të 81-vjeçarit Muhedin Makri, që bën gurin të “flasë” në Gjirokastër.
Muhedin Makrin e gjejmë të ulur te sofati. Është 81 vjeç. Nuk është duke numëruar tespihet, siç do bënte çdo moshatar i tij. Me daltë dhe çekiç gdhend pllaka guri. “Po gdhend ‘lulen e jetës’”, thotë ai, ndërsa i mëshon daltës dhe grimcat e gurit i ngjiten në fytyrë.
Pas ndërrimit të sistemeve, pasi kishte prodhuar për 4 dekada lugë e thika, iu kthye një pasioni të hershëm, atij të gurgdhendësit.
E tanimë u bënë 27 vjet, që në rrasa guri, që qyteti i hirtë i ka me shumicë, gdhend konturet e Kalasë shekullore, portrete figurash historike, që nga Skënderbeu, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Musine Kokalari, Çerçiz Topulli e deri te shkrimtari i madh, Ismail Kadare, që i ka dhënë qytetit, po aq sa edhe i ka marrë. Por nuk mungon as imazhi i diktarorit Enver Hoxha.
Turistët i kërkojnë dhe Muhedini nuk përton t’i mëshojë daltës. Të huajt i pëlqejnë shumë punët e tij, por shpesh kufizohen për shkak të peshës së rëndë të gurit.
Por Muhedini nuk mërzitet. Në dyqanin e tij në Pazar, në rrugicën që të nxjerr për te Kalaja gjen vepra të të gjitha përmasave.
Teksa shohin këtë burrë të moshuar, duke punuar i përqendruar mbi pllakën e gurit, nuk do të kishte turist, që nuk do të ndalte këmbët për ta ndjekur nga afër. Ai të fton me një buzëqeshje dhe të tregon se sa orë punë mund t’i duhen për të realizuar një figurë apo si i nxjerr modelet, format. Për të përfunduar “Lulen e jetës” i duhen 4 orë punë.
Nuk është shumë nxehtë dhe preferon të punojë jashtë, ndërsa që brenda dëgjohet goditja daltës. Janë tre breza që punojnë gurin. “Ia kam mësuar zanatin edhe fëmijëve”, thotë ai, “mend për shkollë s’kishin, por kanë talent, librat i mbushnin me vizatime”. Një dozë krenarie fshihet në zërin e tij. Ndryshe nga shumë të tjerë që tradita e zanati po u shuhet bashkë me jetën sepse nuk kanë se kujt t’ua trashëgojnë, Muhedini e ka shtëpinë dhe zemrën plot.
Dyqani është mbushur me punë të përfunduara: shenja horoskopi, simbole automjetesh, kafshë e shpendë të gdhendura apo motive ornamentale. Ka edhe simbole politike, por i moshuari thotë se i gdhend se kërkohen nga klientët, jo se merret me politikë.
“Unë jam i vetmi njeri që nuk merret me politikë. Nderoj vetëm njerëzit e punës. Kam qenë i ndershëm në atë kohë dhe i ndershëm do vdes”.
Kur dëgjon të birin të ankohet apo të kërkojë diçka nga shteti, ai çohet vrik dhe thotë: “Kam punuar gjithnjë me djersën e ballit dhe kurrë nuk i kam kërkuar dikujt diçka. Unë nuk dorëzohem!”, thotë ai dhe i kthehet fletëve të “Lules së jetës”.