17 Tetor, 2020 - 11:35 pm
“…Musineja i kaloi vitet më të rëndësishme të jetës e rrethuar nga teli me gjemba, mes mureve gjithmonë të njëjta të burgjeve, mes dëshpërimit, urisë grryese, lodhjes shpirtërore dhe britmave te policëve roje. Po poezia? Edhe ajo e burgosur. Nuk dimë në se shkruante poezi fshehtazi, apo mbante shënime, në se vargjet e saj do të jenë gjendur, konfiskuar, apo djegur. Por Musineja, diçka për veten e saj u rrëfente të tjerëve nëpërmjet poezisë së syve… kur nga qelia dilte në oborr për t’u ajrosur, apo për t’u larë, veçmas së bashku me gratë e tjera të burgosura, ajo nëpërmjet poezisë së syve merrej vesh me dikë, me Abaz Xhomon të cilin e donte aq fort sa e pamundura, e ëndërronte me forcën e vdekjes. Pas 16 vjetësh në burg e liruan në vitin 1961, duke e ndëshkuar me një tjetër lloj dënimi, internimin në Veri, në Rrëshen, rrethuar nga malet. E vetmuar. E vëzhguar dhe e ndjekur përherë nga policia. Dhe një punë e rëndë, tepër e rëndë edhe për burrat. Punonte në ndërtim, me tulla, përgatiste betonin.
Askush s’mund t’i thoshte një fjalë. Veç policëve ishte e rrethuar nga spiunë, të cilët për të mbushën dosje të tëra me raportime në të cilat ditë pas dite, orë pas ore shënonin ku shëtiste deri në të perënduar të diellit, librat që tërhiqte në bibliotekën e vogël të qytetit, si krihej, si vishej, thjeshtësisht, por ende bukur dhe sfiduese, çfarë thoshin fqinjët e saj në shtëpinë e rrënuar në mes të baltës. Të nesërmen sërish shkonte dhe ulej e vetme në stolat e të vetmes lulishte, ku askush nuk ndalonte ta përshëndeste. Shkruante, mblidhte folklor, por mbante edhe një ditar…”
Fragment nga eseja prezantuese në italisht në librin e Musine Kokalarit “La mia vita universitaria”./ KultPlus.com