Muzetë e Beratit zgjuan interesin e mbi 4500 turistëve

12 Maj, 2022 - 1:00 pm

Muzetë e Beratit vazhdojnë të zgjojnë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj, me vlerat e koleksioneve të tyre.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Agron Polovina tha për ATSH-në se, “Muzeun e Ikonografisë Onufri dhe Muzeun Etnografik gjatë periudhës janar – prill 2022 e kanë vizituar 4 553 vizitorë vendas dhe të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë 362% më shumë vizitorë”.

“Konkretisht Muzeu Onufri u vizitua nga 3370 vizitorë dhe Muzeu Etnografik nga 1176 vizitorë”, tha Polovina.

Sipas tij, gjatë këtij viti ka pasur një fluks të turistëve të huaj, krahasuar me dy vitet e mëparshme.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme